Bardh Spahia del sot përpara Gjykatës. Çfarë pritet të ndodhë në Shkodër
Ish-deputeti Bardh Spahia pritet të dalë sot para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Seanca është parashikuar të nisë në orën 9:30 në Gjykatën e Shkodrës. Por ndërkohë Partia Demokratike nuk do të qëndrojë duarkryq.
Në mbledhjen e mbrëmjes së kaluar, pas protestës së nëntë kombëtare, opozita vendosi që të gjithë ish-deputetët do të jenë sot përpara Gjykatës së Shkodrës për të protestuar kundër ndalimit të tij. Partia Demokratike e quajti ish-deputetin Bardh Spahia të burgosur politik dhe i kërkoi prokurorisë urdhërimin e menjëhershëm të lirimit të tij.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar qytetarë nga Shkodra kanë protestuar para Policisë së Tiranës aty ku mbahet ish-deputeti Spahia, i arrestuar pas ngjarjeve në KZAZ në Shkodër. Protestuesit kërkuan lirimin e Spahisë dhe personave të tjerë të arrestuar dhe paralajmëruan protesta të përditshme.
KOHA JONË SONDAZH

