Bastet, Rama: Mediat 24 orë afat për heqjen e reklamave
Kryeministri Edi Rama, përmes një deklarate për mediat, bëri me dije ndryshim në ligjin për lojrat e fatit. Rama deklaroi se nga data 1 janar ”do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë” por edhe ”bastet sportive me kuaj, qen apo çdo skllav tjetër të faunës”. Gjithashtu, Rama tha se ”Lotaria Kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike ose siç quhet VLT”. ”Sipas ligjit duke nisur nga data 31 dhjetor do pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë. Ndryshimi i sotëm përfshin dhe bastet sportive, baste me kauj, qen apo cdo kafshe tjetër. Llotaria kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike ose siç quhet VLT. Nga 1 janari nuk do të ngrihet më asnjë qepen për baste. Nuk do të ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar. Paralajmëroj brenda 24 orësh të heqin të gjithë reklamat nga mediat, portalet apo tv”,-tha Rama.
5 vendimet e qeverisë
Vendimi i parë, 150 oficerë sigurie për shkollat
”Arsyeja e kësaj konference është nevoja për të komunikuar me publikun disa masa që gjykoj se kanë një vlerë të posaçme dhe besoj do të jenë më shumë se të mirëpritura në çdo familje. Sot ne kemi vendosur të nisim zbatimin e programit të ri për oficerët e policisë në shkollat e vendit. Projekti në 150 shkolla, gjimnaze kryesisht, aty do fillojnë punën 150 oficerë sigurie të trajnuar enkas për këtë program. Projekti pilot në dobi të parandalimit të fenomeneve të dhunës apo bulizmit, në funksion të mbrojtës së tyre nga duhani apo moslënies së orëve të mësimit. Ne të gjithë si shoqëri jemi të interesuar dhe sigurohet një hallkë e munguar pasi oficeri i policisë nuk është një polic por një kujdestar, një ndërmjetës mes fëmijëve mësuesve dhe prindërve”,-tha Rama.
Vendimi i dytë është për burgjet, s’ka komunikim me botën
“Do të ketë ndryshime ligjore për të dyshuarit apo të dënuarit e përfshirë në krim të organizuar apo organizata terroriste. Ata do t’i nënshtrohen një regjimi të ri shumë të rreptë, izolimi apo monitorimi duke iu ndërprerë çdo lloj komunikimi të jashtëm gjatë kohës së dënimit. Modeli i referohet atij që italianët e quajnë quarantuno bis. Këta persona do kenë kontakte shumë të kufizuara me qeniet e tjera njerëzore, do jenë shumë të monitoruar”,-tha Rama.
Vendimi i tretë, 24 orë monitorim burgjeve
“Së treti kemi parashikuar ngritjen e një salle operative monitorimi non stop me kamera në burgje duke filluar nga 313. Në shërbimin e kontrollit të brendshëm të burgjeve do të ketë një sallë monitorimi. Kjo e çon sigurinë e burgjeve në një nivel të panjohur më parë. Kjo e çon luftën kundër korrupsionit kronik në burgje në një nivel të panjohur më parë.
Vendimi i katër për lojrat e fatit
”Në territorin e Shqipërisë nuk do të ngrihet më asnjë qepen për Kazino Elektronike dhe apo pika bastesh në zonat e banuara. Paralajmëroj mediat që të heqin nga reklamat nga faqet e tyre, AMA do të zbatojë ligjin. Do të mbyllet çdo faqe që i ka reklamë”,-tha Rama.
Vendimi i pestë, ndëshkime më të rënda për “të fortët”
”Do të ketë ndryshime në Kodin Penal për të fortët, do të kërkojmë ndëshkime penale ekzemplare. Së shpejti këto paketa do t’i ndajmë me opozitën duke shpresuar shkëputjen e tyre nga bota e filmave në atë reale”.
KOHA JONË SONDAZH

