Besnik Mustafaj: Edi Paloka i ktheu përgjigjen talljeve të kryeministrit
Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj e ka konsideruar të gabuar talljen që Rama i bëri javën e kaluar deputetit Edi Paloka si dhe argëtues veprimin e këtij të fundit sot në parlament.
I ftuar në News24, Mustafaj është shprehur se ai do të kishte parapëlqyer një seancë plenare solemne këtë të enjte, në kushtet kur i ftuar në Kuvend ndodhej kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, zoti Talat Xhaferi.
“Në vendet demokratike, protesta, pakënaqësitë janë bërë edhe spektakël, për pos përmbajtjes që kanë brenda. Në këtë kuptim mua nuk më shqetëson për sa kohë që është një bojë që nuk i bën gjë zotit Rama. Imitimi i Ramës ndaj Edi Palokës është i gabuar. Mund të themi se ia ktheu me të njëjtën monedhë. Paloka kishte zgjedh një metodë simbolike dhe argëtuese.
Unë do të kisha parapëlqyer që ceremonia në Kuvend të ishte solemne, serioze për aq minuta sa kërkonte ratifikimi e protokollit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Të mos ndodhte kjo për aq kohë sa ishte aty Talat Xhaferi, sepse ai ishte një mik i nderuar në Parlament. Ne kemi një situatë që kreu i opozitës po sjell fakte të reja, që tregojnë një qeveri të delegjitimuar. Akuzat janë politike dhe reagimet duhet të jenë politike”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

