Borchardt: Duhet kompromis për reformën zgjedhore
Në një intervistë për televizionin “Klan Plus” lidhur me reformën zgjedhore, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, kërkon nga të gjitha partitë politike të intensifikojnë diskutimet dhe të gjejnë një kompromis për reformën zgjedhore.
I pyetur lidhur me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ai veçoi disa prej tyre si depolitizimi i administratës zgjedhore, çështja e kronikave televizive të përgatitura nga vetë partitë, dhe dekriminalizimi i shpifjes. Lidhur me votimin dhe numërimin elektronik, Borchardt tha se, nëse partitë bien dakord për këtë, vendimi duhet marrë shpejt, për shkak se proceset e blerjes dhe instalimit të pajisjeve, trajnimit të administratës dhe edukimit të zgjedhësve kërkojnë kohë.
Intervistoi: Vladimir Lame
Klan Plus: I nderuar z. Ambasador, ju po punoni shumë për reformën zgjedhore në Shqipëri, sepse rekomandimet nuk janë zbatuar në zgjedhjet e kaluara. Tani ndodhemi përpara zgjedhjeve vendore. Si po shkojnë përgatitjet, çfarë po ndodh?
Ambasadori Borchardt: Shoh që debati po bëhet gjithnjë e më i gjallë. Njëra nga palët ka paraqitur një draft dhe unë i nxis të gjitha partitë politike që tani të intensifikojnë diskutimet dhe të gjejnë një kompromis, në mënyrë që gjithsecili të japë këndvështrimin e tij politik për ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Klan Plus: Cilat janë sfidat kryesore që keni propozuar për draftin e ri?
Ambasadori Borchardt: Ekziston një listë e gjatë prej rreth 30 rekomandimesh, të cilat fillojnë nga depolitizimi i administratës zgjedhore, vazhdojnë me çështjen e famshme, ose, më mirë, të famshme për keq, të kronikave që përgatiten nga partitë dhe transmetohen sikur të ishin produkt i gazetarëve, si dhe disa rekomandime teknike. Mes tyre është edhe rekomandimi për ta hequr shpifjen nga Kodi Penal dhe për ta trajtuar vetëm me mjetet e parashikuara në Kodin Civil, të cilat ekzistojnë në Shqipëri. Ka edhe shumë rekomandime të tjera.
Klan Plus: A jeni dakord që të bëhet një projekt pilot për votimin dhe numërimin elektronik?
Ambasadori Borchardt: Për votimin dhe numërimin elektronik, nëse partitë bien dakord, vendimi duhet marrë shumë shpejt. Kjo pasi këtu përfshihet procesi i prokurimit – makineritë janë të shtrenjta dhe ky proces merr kohë; makineritë duhet të përshtaten me nevojat e Shqipërisë; duhen instaluar dhe kalibruar si duhet. Po ashtu, duhet trajnuar administrata zgjedhore se si t’i përdorë, si dhe duhet bërë edukimi i zgjedhësve. Pra, është koha për ta marrë këtë vendim.
Klan Plus: Por ju nuk jeni kundër?
Ambasadori Borchardt: Jo, nuk jam kundër projekteve pilot. Kjo gjë është bërë në disa prej shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe disa e kanë shfuqizuar teknologjinë në zgjedhje, ndërsa disa të tjera e zbatojnë. Pra, ekziston si mundësi.
Klan Plus: Ju po u kërkoni partive të bëjnë kompromis. Por Partia Demokratike është jashtë parlamentit, sikundër edhe partitë e tjera të opozitës. A keni ndonjë apel për to që të përfshihen në reformën zgjedhore?
Ambasadori Borchardt: Sikurse thashë, u kam bërë thirrje të gjitha forcave politike të gjejnë një kompromis për reformën zgjedhore.
Klan Plus: Pra, për këtë duhet të kthehen në parlament?
Ambasadori Borchardt: Për të votuar reformën zgjedhore, patjetër që po.
KOHA JONË SONDAZH

