Braimllari: Kryeministri duhet të ishte në burg, nëse në këtë vend do të kishim Drejtësi të Pavarur
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim Endrit Braimllari është i bindur se nëse në Shqipëri do të kishte me të vërtetë një sistem drejtësie të pavarur, i pari që do ishte pas hekurave të qelisë do të ishte vetë kryeministri Edi Rama.
Në një intervistë për televizionin Fax News, teksa komenton rastin e Xhisiela Malokut, vajza nga Fushë-Kruja që është dhunuar nga Rexhep Rraja, që është dhe djali i deputetit socialiast Rrahman Rraja, Braimllari thotë se padia është shumë e rëndë.
“Në një vend normal të botës tani kryeministri duhet të ishte nën hetim”- shprehet Braimllari.
Pjesë nga intervista e deputetit të LSI-së
Çfarë vlere ka padia e ngritur nga dy grupet parlamentare të opozitës ndaj kryeministrit Rama për rastin “Xhisiela”?
Padia është shumë e rëndë. Në një vend normal të botës tani kryeministri duhet të ishte nën hetim. Pse duhet të ishte nën hetim? Sepse publikisht i bëri presion një oficeri policie. I tha do ta ndjekim këmba këmbës këtë horr. Pra si mundet kryeministri i një vendi në vend që të inkurajojë policinë e shtetit, të luftojë krimin e organizuar, në vend që të jetë palë me policinë e ndershme të shtetit, pra me ato pak oficerë policie të ndershëm sepse edhe brenda asaj kupole ka oficerë policie të ndershëm që duan të luftojnë krimin e organizuar. Në vend që të bëhet palë me to i bën presion publikisht atyre. Si mundet kryeministri i vendit të dërgojë mesazhe jo vetëm për Emiliano Nuhun, por të dërgojë mesazhe çdo oficeri tjetër nëpërmjet presioneve që i bën atij, që kujdes mos u merrni me njerëzit e mi, me njerëzit e Rilindjes sepse unë do t’iu ndjek këmba këmbës. Kjo është e papërgjeshme dhe në një vend normal ai duhet të ishte larguar nga detyra dhe sot duhet të ishte minimumi nën hetim. Është e njëjta gjë siç i bëri thirrje Policisë së Shtetit nga Kuçova në fushatë që të hepin kapelat dhe të bëjnë fushatë për Rilindjen. Pra ka shkelur Kushtetutën. Por këtij nuk i intereson Kushtetuta. Këtij nuk i interesojnë institucionet sepse sistemin e drejtësisë e ka kapur, Policinë e Shtetit e ka totalisht nën kontroll, ku në zona të ndryshme të vendit e kontrollon krimi i organizuar. Institucionet e tjera nuk funksionojnë fare. I ka shkatërruar të gjitha institucionet. Nuk ka gjykata ku ti të shkosh dhe të apelosh vendimet. Nuk ekziston Gjykata Kushtetuese dhe jo pa qëllim e ka shkatërruar Gjykatën Kushtetuese, sepse ka një qëllim, e gjithë kjo veprimtari ka një plan të qartë. Është e njëjta gjë që ndodhi me kanabizimin e vendit. Pra ishte projekt politik dhe sot kur ne e kemi denoncuar prej vitesh kanabizimin e vendit që do të sjellë probleme të rënda sociale për vendin, sot ne përballemi jo vetëm me këto probleme sociale por dhe kriminale. Dhe Edi Rama është përgjegjësi kryesor i kësaj gjendje sepse është kryeministri i vendit.
I rikthehem pyetjes, çfarë vlere ka mes kësaj situate që thoni ju, një padi e ngritur nga dy krerët e grupeve parlamentare dhe çfarë vlere ka për rastin Xhisiela ku duket që çudia më e madhe zgjat vetëm 3 ditë dhe vetë vajza është tërhequr tashmë…
E para, personalisht nuk dua ta atakoj vajzën në fjalë sepse nuk dua që të biem viktimë e PR të kryeministrit dhe të lojës së tij politike, për të nxjerrë viktimë vajzën dhe për të bërë këto histori, jo u tërhoq, jo nuk u tërhoq, për ta kthyer atë nga një viktimë në person tjetër, i ka bërë vetë kryeministri i vendit. Është vetë strategjia e Edi Ramës, nuk dua të ndalem në këtë gjë por kjo ka një thelb shumë kryesor, nuk ka funksionuar asnjë institucion shtetëror, është bërë denoncimi. Nuk kanë funksionuar hetimet, Policia e Shtetit, oficeri i policisë gjyqësore, Prokuroria. Nuk kanë dhënë vendim, e dhanë pas 3 muajsh që ka ndodhur ngjarja. Pra këtu nuk funksionon asnjë institucion, ai ka kapur çdo institucion dhe e përdor institucionin shtetëror, qoftë Prokurorinë por dhe institucione të tjera si kamzhik për kundërshtarët e tij, si kamzhik për njerëzit e tij brenda kësaj mazhorance për ti bërë presion që mos ti dalin kundër. Por dhe si kamzhik për bizneset, për oficerët e ndershëm të cilët bëjnë kallëzime dhe denoncojnë hapur ngjarje të rënda kriminale që ndodhin në vend.
KOHA JONË SONDAZH

