Droga dhe Schengen, rojet kufitare të BE-së në Shqipëri. Avramopulous: Po afroheni më shumë me BE

Shqetësimi i Bashkimit Europian për drogën dhe për emigracionin e parregullt, ku sipas raporteve të fundit shqiptarët rezultojnë të parët në Europë si azilkërkues, solli në Tiranë të deleguarin e BE-së, grekun Dimitris Avramopulos. Komisioneri Europian për Migracionin, në një takim që pati me Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, aty ku u diskutua marrëveshja me Frontex, lufta ndaj krimit të organizuar dhe Vettingu në polici, çështje që në fakt u përmendën edhe në deklaratën për shtyp.

Shqipëria nënshkroi me Bashkimin Europian një marrëveshje për menaxhimin dhe kontrollin e kufijve për të luftuar trafikun e drogës, si dhe për të parandaluar emigracionin e parregullt në zonën Schengen.

“Dua t’i shpreh falënderimet e mia në mënyrë të veçantë autoriteteve shqiptare për përkushtimin e tyre për të arritur shumë shpejt marrëveshjen me Agjencinë Europiane të Kufirit dhe Rojes Bregdetare. Kjo marrëveshje do të mundësojë që në të ardhmen të vendosen në Shqipëri ekipe nga Agjencia Europiane e Kufirit dhe Rojes Bregdetare. Kjo marrëveshje do të bëjë të sigurojë një menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt në interes të përbashkët, si të Bashkimit Europian ashtu edhe të Shqipërisë”,-tha Avramopulos.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga ana e tij, ministri Xhafaj përmendi përfitimet e Shqipërisë nga marrëveshja për kufijtë, ndërsa shtoi se policia shqiptare është e vendosur ta nxjerrë vendin nga harta e kultivimit e trafikut të kanabisit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Rikonfirmova vendosmërinë tonë se po bëjmë gjithçka është e mundur për të garantuar përfundimisht që Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis, për të treguar vendosmëri dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar përmes operacionit “Forca e Ligjit”, rezultatet e para të të cilit janë inkurajuese; për të rritur më tej performancën e Policisë së Shtetit, për ta sjellë atë në standardet më të mira europiane duke e informuar në këtë kuadër edhe për procesin e Vettingut që sapo kemi nisur. Po ashtu, dëshiroj t’ju bëj të njohur faktin se, së bashku konkluduam siglimin e marrëveshjes me FRONTEX për “Rojën Bregdetare dhe Kufitare”. Forcimi i bashkëpunimit operativ mes vendeve të rajonit dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare, ne besojmë do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt, do të rrisë më tej sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe do të forcojë aftësinë e Agjencisë për të vepruar në vendet e afërta me BE-në, siç është Shqipëria”,-tha gjatë konferencës për shtyp ministri Xhafaj.

Në fund të takimit, Xhafaj deklaroi se zyrtari grek mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, duke shtuar se do të garantojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, duke luftuar emigracionin e parregullt, si dhe krimin e drogën.

“Komisionari është një mbështetës shumë aktiv ndaj integrimit të Shqipërisë në BE. Vizita e tij tregon mbështetjen e BE-së për reformat e nisura nga ne dhe luftën me krimin. Thellim të marrëdhënieve dhe sigurisë sa i takon kufirit dhe lëvizjes së parregullt. Garantojmë përfundimisht që Shqipëria nuk do jetë në hartën e vendeve që prodhojnë kanabis. Luftë krimit të organizuar përmes “Forcës së ligjit”. Për të rritur performancën e Policisë së Shtetit dhe për ta sjellë në nivelin më të mirë. Kjo është në marrëveshje e rëndësishme, që do na ndihmojë të marrim asistencë të kualifikuar për emigracionin e parregullt. Mundësi e mirë për ne dhe vendet e rajonit, ku ajo do implementohet për zgjerimin e kufijve me BE. Ne do ndjekim rregullat për miratimin në Parlament dhe zbatimin e saj shumë shpejt. Për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, tha Xhafaj.

Takimi

Avramopulos: BE fonde për luftën kundër drogës

Përveç marrëveshjes që Shqipëria ka rënë dakort që kufijtë detarë dhe tokësorë të saj të kontrollohen nga misioni Frontex i Bashkimit Europian, mes Ministrit Xhafaj dhe Avramopulos, u nënshkrua një memorandum për luftën kundër drogës.

Shqipëria do të ketë mundësi në të ardhmen të ketë akses në fonde për nisma në fushën e politikave kundër drogës. Avramopuls foli edhe për përpjekjet që ka bërë qeveria në lidhje me menaxhimin e flukseve të emigracionit të parregullt.

“Dëshiroj të inkurajojë Shqipërinë që ta përdori plotësisht këtë mundësi që po ju jepet dhe të aplikojë për fonde në mbështetje të këtyre iniciativave. Kjo do ta ndihmojë Shqipërinë të përshpejtojë përsa u përket përpjekjeve të saj për të trajtuar çështje që kanë të bëjnë me prodhimin e drogës, trafikimin e drogës dhe konsumimin e saj. Dëshiroj gjithashtu të përgëzojë Shqipërinë për përpjekjet që ka bërë në lidhje me menaxhimin e flukseve të emigracionit të parregullt dhe ta inkurajojë Shqipërinë të bëjë edhe më shumë. Ne duhet që të ulim  numrin e personave që abuzojnë me liberalizimin e vizave. Mirëpres që ne të vijojmë dhe ta thellojmë bashkëpunimin tonë për këto çështje kaq të rëndësishme sigurie që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit, luftën kundër radikalizimit, krimit të organizuar, por edhe trafikimit të armëve”,-tha Avramopuls.

Konferenca

Shqipëria po afrohet më shumë me BE

Pjesë e konferencës ishte edhe qëndrimi pro ecurisë së Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Komisioneri Europian për Migracionin, Dimitris Avramopulos, vlerësoi se vendi ka një strategji për të cilën BE-ja do të vijojë të tregojë mbështetje, ku pohoi se Shqipëria do të jetë aktive në rajon dhe anëtare e fortë e bllokut.

“Në sytë e mi, si një mik i Shqipërisë është edhe kjo strategji kombëtare që ka ky komb kaq i madh. Perspektiva europiane e Shqipërisë do të bëjë të mundur stabilitetin, progres , rritje, zhvillim dhe një përmirësim të të gjitha standardeve për qytetarët shqiptar. Në të njëjtën kohë Shqipëria do të jetë edhe më aktive në këtë rajon, si një partnere e fortë si dhe një anëtare e ardhshme e familjes europiane. Bashkimi Europian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë për të përgatitur terrenin, për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe për të hapur rrugën drejt të ardhmes europiane”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?