Edhe Tahiri e Ahmetaj me Ramën tek Shtepia e Bardhë
Ja përbërja e delegacionit që do të shoqërojë kryeministrin, Edi Rama, gjatë vizitës që ai do të zhvillojë në SHBA me datë 13- Prill, ku ai pritet të ketë edhe një takim me Presidentin amerikan, Barak Obama.
Burime të sigurta bëjnë të ditur se kreu i qeverisë shqiptare do të shoqërohet në këtë vizitë nga dy ministra ai i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ai i Financave, Arben Ahmetaj. Përzgjedhja e këtyre ministrave që do të shoqërojnë Ramën gjatë kësaj vizite duket se nuk është e rastësishme.
Për një periudhë të gjatë kohe kreu i qeverisë ka artikuluar se Rendi Publik dhe Financat kanë qenë dy fushat në të cilat janë ndier më shumë arritjet e qeverisë. Këto dy ministri, nga ana tjetër, kanë qenë edhe në fokusin kryesor të reformave të realizuara nga qeveria e koalicionit të majtë. Takimi mes kreut të qeverisë shqiptare dhe Presidentit Obama do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë.
Ky pritet të jetë edhe një takim “kokë më kokë” mes tyre. Pjesë e takimeve do të jetë edhe zëvendës Presidenti amerikan, Joe Biden. Në këtë takim shefi i qeverisë shqiptare pritet të shoqërohet edhe nga ministrat Tahiri dhe Ahmetaj.
Marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë zgjeruar 25 vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke u shtrirë në të gjitha fushat, në interes të të dy vendeve, të paqes, sigurisë e zhvillimit të rajonit e më gjerë.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerje prej 52 vjetësh. Fillimisht marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 28 korrik 1922. Vizita e Ramës në SHBA dhe takimi me Obamën vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, po të kihet parasysh situata në vend, rajon, si dhe në luftën kundër terrorizmit.

