Gramoz Ruçi në 100-vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit
Politikë E Hënë, 20 Shtator 2021 17:05
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ishte sot në Vlorë në ceremoninë e përkujtimit të 100 vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të Shqipërisë së pavarur, Ismail Qemalit, organizuar nga Bashkia e qytetit të Vlorës.
Në homazhet dhe veprimtarite e organizuara me këtë rast mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, deputetët e qarkut të Vlorës Edmond Leka dhe Vullnet Sina, ish zëvëndëskryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, konsulli i nderit i Austrisë në Vlorë Arben Malaj, Prefeketi i Vlorës Flamur Mamaj, Kryetari i Këshillit të Qarkut Ervis Moçka, veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare etj.
Gramoz Ruçi vendosi një kurorë në memorialin e Ismail Qemalit.
Kryetari i Kuvendit dhe personalitetet shtetërore që e shoqëronin bënë një vizitë edhe në Muzeun e Pavarësisë. Në librin e përshtypjeve të Muzeut, z. Ruçi la këtë shënim: “Nderim Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar! Ismail Qemali është i përjetshëm sepse e përjetshme është Shqipëria!”
“Tre janë momentet vendimtare që shpëtuan Shqipërinë, deklaroi para gazetarëve Kryetari i Kuvendit Ruçi. Shpallja e pavarësisë nga plaku i Vloërs dhe i gjithë Shqipërisë, Ismail Qemali, themeloi shtetin e pavarur shqiptar; Kongresi i Lushnjës, i cili vitin që vjen mbush një shekull, ndërtoi arkitekturën e shtetit shqiptar, rilindi ndërgjegjen politike dhe sanksionoi Shqipërinë parlamentare; Lufta e Vlorës shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi dhe u preu rrugën orekseve ekspansioniste të fqinjëve për gllabërimin e trojeve të saj. Dy nga këto tre ngjarje ndodhën në Vlorë dhe për këtë të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës.”
KOHA JONË SONDAZH