Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand: Shqipëria nuk mund të kryesojë OSBE
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, thotë se kriza e shumëfishtë në Shqipëri ndodh në një moment kritik për vendin, ndërsa Bashkimi Evropian pritet të marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit dhe në një kohë që Shqipëria pritet të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së vitin e ardhshëm.
Ndër të tjera ai tha se “Komisioni i Helsinkit, ku unë punoj, e ndjek nga shumë afër OSBE-në. Ne bashkëpunojmë me Departamentin e Shtetit dhe ndihmojmë për t’i dhënë formë politikës amerikane ndaj OSBE-së. Mund t’ju them se vitin e kaluar, kur dëgjuam për herë të parë që Shqipëria propozoi të kryesonte OSBE-në në vitin 2020, unë u tregova jashtëzakonisht mbështetës. Është një mundësi e mire për Shqipërinë që të mos jetë një importuese e sigurisë dhe stabilitetit nga jashtë, por të kontribuojë në fakt për sigurinë në të gjithë rajonin e OSBE-së. Dhe unë mendoj se ajo mund ta bënte këtë shumë mirë. Ajo ka një trup diplomatik shumë profesional, ministri i Jashtëm që po e mbështeste këtë ide, ishte kompetent, ai kishte shumë vite përvojë.
Por ishte shumë zhgënjyes fakti që brenda një muaji pasi OSBE-ja u pajtua me idenë, në ministrinë e jashtme pati ndryshime. Ju e dini: tani ka një pikëpyetje nëse kjo përvojë është ende aty për të arritur ta shtyjë përpara OSBE-në. Siç e përmenda më lart për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por edhe të ndërhyrjeve diku tjetër në Evropë, situatën në Kaukaz, etj., OSBE-ja ka nevojë për udhëheqje të fortë, dhe unë vërtet shpresoj se Shqipëria do të jetë akoma në gjendje ta sigurojë atë udhëheqje, por sot jam pak më shumë i shqetësuar sesa isha vitin e kaluar kur u bë oferta e parë. Gjëja tjetër që do të thosha është se OSBE-ja, ose procesi i Helsinkit, ka qenë historikisht një fanar për shpresat e njerëzve, që të drejtat e tyre njerëzore të respektohen, që demokracia të përparojë. Dhe, që një vend të kryesojë OSBE-në, ai duhet t’i mishërojë disi këto parime të Helsinkit për demokracinë, të drejtat e njeriut, dhe për sigurinë e vërtetë të përgjithshme. Kjo nuk do të thotë se çdo vend duhet të jetë si Norvegjia, ku gjithçka duket gjithmonë shumë paqësore shumë e qetë dhe shumë demokratike. Por një vend duhet të priret në drejtimin e duhur dhe pikërisht këtu ka disa shqetësime, për shembull në media, në trajtimin e gazetarëve investigativë dhe ndoshta në dëshirën për të gjobitur njerëzit për atë që publikojnë në internet. Kreut të zyrës së OSBE-së do t’i duhet të shkojë në vende si Moska, ose Bakuja, apo vende të Azinë Qendrore, dhe të kërkojë një respektim më të madh të të drejtave të njeriut, të kërkojë lirimin e të burgosurve politikë, zgjedhje të lira e të ndershme, ose norma demokratike. Është e vështirë ta bëjë këtë një vend kur nuk ecën në drejtimin e duhur. Kjo është një nga sfidat me të cilat do të ndeshet Shqipëria në 2020, po nuk ndryshoi kurs duke ecur në një drejtim më pozitiv”
KOHA JONË SONDAZH

