Komision hetimor për Saimir Tahirin. PD: Rama do thirret për të dëshmuar
Opozita pritet të nis një hetim parlamentar lidhur me dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Hetimi parlamentar, pritet të tronditë mazhorancën, pasi do të rikthej edhe një herë në qendër të vëmendjes dhe në axhendën e Kuvendit gjithë dosjen e trafikut të drogës.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike pritet të dorëzojë kërkesën për nisjen e hetimit parlamentar, i cili nuk do të ketë si objekt vetëm emrin e Saimir Tahirit. Që nga plasja e skandalit në shtator të vitit të kaluar, kur u arrestua banda e Habiljave në Itali, janë një sërë institucionesh që janë përfshirë në këtë çështje.
Këshilli i Ministrave, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit, Drejtoria e Burgjeve, janë disa nga institucionet që janë përfshije në atë që PD dhe opozita e quan si fshehje të fakteve për Saimir Tahirin.
Me hapjen e hetimit parlamentar, në seancat e komisionit pritet të thirren për të dëshmuar të gjithë drejtuesit e institucioneve që kanë firmosur apo kanë pasur lidhje direkt me çështjen “Tahiri”.
Në pikën e parë të objektit të hetimit thuhet se do të verifikohen vendimet e Kuvendit që çuan në mosarrestimin e Tahirit. Kjo do të thotë se gjithë procedua e ndjekur nga PS, grupi parlamentar i PS dhe Këshilli i Mandateve dhe Rregulloreve do të kalojë dhe një herë në skaner.
Në kërkesën e PD, ka dhe një pikë që i referohet direkt Edi Ramës. “Verifikim i veprimet e kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë në pengimin apo intimidinin e prokurorisë për të hetuar Tahirin në mënyrë të pavarur”,- shkruhet në kërkesën e PD. Kjo do të thotë se Kryeministri Edi Rama shumë shpejt mund të jetë i thirrur për të dëshmuar në Komisionin Hetimor.
Sipas ligjit për Komisionet Hetimore, komisioni gjatë punës së tij: “Thërret titullarë institucionesh për pyetje, si dhe kërkon nga ata informacione ose dokumente zyrtare, si dhe merr në pyetje dëshmitarë dhe persona të tjerë”.
Sipas ligjit, “kur dëshmitari nuk paraqitet pa arsye të përligjura, i kërkohet organeve të policisë të bëjnë thirrjen me forcë të tij”. Duket se PD do të kërkojë të zbatohen të gjitha pikat e ligjit që kanë të bëjnë me hetimin parlamentar.
Komisionet Hetimor shërbejnë për të zbardhur çështje të rëndësishme, por në fund, procesi i hetimeve parlamentare, pasi kalon si raport në Kuvend i dërgohet Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo e fundit, nëse vren se në raport ka fakte që përbëjnë vepër penale mund të nis dhe hetimet.
Objekti i hetimit parlamentar të kërkuar nga PD
1-Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të vendimit të Kuvendit për të mos lejuar arrestimin e Tahirit.
2-Veprimet e kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë në pengimin apo intimidinin e prokurorisë për të hetuar Tahirin në mënyrë të pavarur.
3-Ligjshmëria e ekstradimit të Nezar Seitit si person nën hetim për të njëjtën çështje si Tahiri dhe efektet që sjell ekstradimi i tij për ish ministrin e brendshëm.
KOHA JONË SONDAZH

