Kriza politike, Basha: Zgjedhjet e parakohshme në qershor, ose…
Kryetari i Partisë Demokratike dha dje një intervistë në emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arian Çani, ku foli për aktualitetin politik dhe për zgjidhjen e krizës politike.
Ndërkombëtarët mbështesin Ramën…
Kanë ikur ministra për një sanduiç në Slloveni, se kishte ikur pa e paguar, deputetë për një shishe verë në Gjermani, për një biletë treni në Holandë. Kjo pra është, që të mos ketë populli qeverinë, por qeveria popullin. Kjo ndodh kur e lidh fatin me njerëzit, kur e lidh me votën e njerëzve, jo kur e lidh me Avdylajt, me Niçen. Se po e lidhe me Niçen, ça ndodh, vjedh popullin…
A do ta bëni me zgjedhje këtë?
Po, këtë po të them. Absolutisht që do futem në zgjedhje. Sapo të fitojmë këtë betejë jetime.
Cilën betejë?
Të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të zgjedhur një Parlament të qytetarëve me deputetë, të cilët përfaqësojnë qytetarët. Çfarë duhet të bëjmë për këtë? Duhet ta ndryshojmë sistemin zgjedhor? Hajde ta ndryshojmë sistemin zgjedhor. Dhe për këtë ndaj të thashë që nuk ka vetëm protesta. Ne kemi nisur një konsultim mbarëkombëtar.
Ju keni dalë nga Parlamenti, si do ta ndryshoni?
Nuk kishte më Parlament, ai ishte kthyer dhe është kthyer në një strofkë, e cila merr vendime kundër shqiptarëve nga mëngjesi deri në darkë. Marrin pronat e shqiptarëve, edhe sonte që flasim mund të jetë me ndonjë oligark duke ndarë pronat në bregdet. Dhe ne nuk mund të bëheshim pjesë e një bande hajdutësh. Ne ishim maska e tyre, ne ishim maska e tyre dhe thoshin se ka demokraci, se është opozita. Ne i kemi dhënë fund kësaj. Kemi provokuar një krizë institucionale, ku të gjithë thonë kush e zgjidh? Po këtë e zgjidh populli.
Kur do të dalin vetë njerëzit pa qenë ti në protestë?
Kur opozita bën thirrjen, opozita është përgjigjur si asnjëherë më parë. Dimensioni më i madh i këtij zgjimi janë protestat që ka thirrur opozita dhe opozita, përveçse të thërrasë protestën, i takon t’i japë rrugëzgjidhje. Jo thjesht të thotë largimi i Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira, gjë të cilën ne e kemi bërë, por tani duhet t’i japim një rrugëzgjidhje afatgjatë që rotacioni, i cili patjetër do vijë, mos të jetë një rotacion nga një Ramë te një Ramë tjetër. Të zhdukim edhe atë përbërës të këtij sistemi të kalbur, që e degjenerojnë pushtetin në një shërbëtor të oligarkëve dhe të kriminelëve.
Po tradhtarët e PD-së që pranuan mandatin?
Partia ka disiplinë. Kur merren vendime kolegjiale, ato vendime duhet të ndiqen. Nuk ka parti europiane apo amerikane të funksionojë ndryshe. Ndërsa, përsa i përket personave që kanë pranuar të futen aty, nuk janë me motiv politik. Nuk janë për t’i shërbyer demokracisë. Njerëzit e dinë se për çfarë motivesh janë futur aty. Në momente të tilla, motivi i atyre që kanë qëndruar nuk i shërbejnë interesit publik, nuk i shërbejnë demokracisë.
Po doli parashikimi i Monika Kryemadhi se PS po përgatit zgjedhjet e parakohshme në maj?
Në maj, në qershor, në shtator apo në tetor kjo është zgjidhje politike dhe kjo krizë politike do të përfundojë në zgjedhje të parakohshme. Ajo që ka më shumë rëndësi se sa koha është që këto zgjedhje të mos t’i ndikojnë më gangsterët, por të jenë të lira dhe të ndershme.
Thonë që në 16 mars do të ketë trazira të rënda
Dhuna i intereson vetëm Edi Ramës. Përhapja e panikut i intereson vetëm atij që është në panik. Qytetarët bashkohen në këtë protestë, në radhë të parë, për të vrarë frikën dhe, në radhë të dytë, për të ndarë shpresën e re që po lind. Dhe për këtë kemi një projekt që unë e kam nisur brenda partisë sime për demokratizimin e PD-së dhe për këtë kam të gjithë mbështetjen perëndimore.
A keni një plan B për marrëveshje me Ramën?
Goma e Edi Ramës ka rënë në fund të oqeanit dhe nuk ka njeri ta nxjerr më!
KOHA JONË SONDAZH

