Kryemadhi: Mosha e pensionit 70 vjeç? Jo vetëm e padrejtë, por grabitje e qeverisë
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë takimit të zhvilluar me strukturat e LSI në Korçë ka komentuar propozimin më të fundit të qeverisë për të rritur moshën e pensionit në 70-vjeç. Kryemadhi tha se ky propozim jo vetëm që nuk është i drejtë, por është edhe grabitje nga ana e qeverisë. Kryetarja e LSI-së tha se mbi të gjitha Rilindja po vret shpresën e shqiptarëve për tu punësuar. “Dëgjonim dje se si duan ta çojnë moshën e pensionit në 70 vjeç. Ka edhe njerëz që janë edhe 70 vjeç dhe kanë fuqi për të punuar. Por a është e drejtë kjo? Jo vetëm që nuk është e drejtë, por kjo është grabitje. Mbasi ju ka grabitur shqiptarëve pensionet, kontributet dhe paratë e tyre kanë shkuar për të blerë kolltuqe, makina, bileta avioni për qeveritarët, më pas thotë kam vendosur që moshën e pensionit ta çojë në 70 vjeç. Ndërkohë që takon një djalë të ri dhe kur i flet për pensionet thotë: po unë të fillojë punë njëherë! Kam 10 vjet që kam mbaruar shkollën dhe nuk kam filluar punë. Të fillojë punë unë njëherë, pastaj të flasim për pensionet. Pra kemi krijuar një situatë të mungesës së shpresës, ku njerëzit, të rinjtë dhe të rejat nuk besojnë që do të kenë mundësinë për të dalë në pension në Shqipëri, dhe jo më të fillojnë dhe të hyjnë në skemën e kontributeve”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
KOHA JONË SONDAZH

