Lulzim Basha: PD djeg mandatet, zgjedhje të parakohshme
Pas vendimit unanim të PD-së për djegien e mandatave të deputetëve, kreu i kësaj force, Lulzim Basha doli në një deklaratë për shtyp, ku tregoi arsyet pse PD-ja mori këtë vendim të fortë.
”Duke pasur parasysh gjendjen ku ndodhet vendi, pas kapjes së qeverisë duke vjedhur votat, siç dëshmojnë mediat ndërkombëtare. Shtypjes sistematike të të drejtave të njeriut. Emigracionin masiv kombëtar, gjendjes së rëndë sociale. Ngritjen e një qeverie transitore dhe zgjedhje të lira e të ndershme të parakohshme parlamentare, PD vendosi unanimisht për djegien e mandateve të të gjithë deputetëve”, tha Basha.
Gjithashtu bëhet e ditur se është vendosur që të ngrihet një grup pune per teknikalitetet, duke propozuar si anëtarë Gazmend Bardhin, Oerd Bylykbashin, Enkelejd Alibeajn, Çlirim Gjatën dhe Ivi Kason.
Deklarata e plotë e Lulzim Bashës
Në përfundim të mbledhjes së Grupit parlamentar të PD, ju njoftoj për vendimin që grupi mori me votë unanime.
Duke patur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi, për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare, për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale, eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë, eliminimit të Gjykatës Kushtetuese, kapjes totale të sistemit të drejtësisë, paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut, që ka shkaktuar një situatë të paprecedentë të krizës ekonomike, emigracionit katastrofal, duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të afruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndarmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që do të garantojnë integrimin e vendit, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare, vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017.
Grupi parlamentar i PD autorizoi kryetarin e partisë të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me statusin e PD.
KOHA JONË SONDAZH

