Paralajmërimi i avokatëve për bojkot të seancave gjyqësore, reagon Ministri i Drejtësisë
Ka reaguar Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, lidhur me paralajmërimin e avokatëve për bojkot të seancave gjyqësore për katër ditë, duke nisur nga nesër deri të premten.
Avokatët kundërshtojnë hartën e re gjyqësore, ndërsa ministri thotë se harta është krijuar sipas standardeve europiane.
“Harta e re gjyqësore, referuar standardeve evropiane, zbatimit të ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe gjendjes së sistemit të drejtësisë, krijon balancën e duhur mes aksesit të qytetarëve te drejtësia dhe efiçencës së sistemit gjyqësor.
Avokatët janë grup interesi i rëndësishëm që garantojnë mbarëvajtjen e procesit të rregullt ligjor në zinxhirin e sistemit të drejtësisë dhe si të tillë janë konsultuar me draftin e hartës gjyqësore gjatë fazës së konsultimit publik. Janë marrë në konsideratë disa sugjerime me vlerë që kanë ardhur edhe nga avokatia, të cilat janë reflektuar në draft, por riorganizimi gjyqësor është përgjegjësi e Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe e Ministrisë së Drejtësisë.
Ajo që ne presim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe çdo avokat është që të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore pasi ajo të miratohet në Qeveri dhe të hyjë në fuqi. Bojkotimi i seancave gjyqësore nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk i shërben askujt, as sistemit të drejtësisë, as avokatëve dhe aq më pak interesave të qytetarëve që mbrohen prej tyre. Si njerëz të ligjit, unë besoj se avokatët do të reflektojnë në vendimin e tyre pasi zbatimi i ligjit është emëruesi i përbashkët i yni dhe që i shërben drejtësisë dhe interesit publik”, ka thënë Manja në një prononcim për ATSH-në.
KOHA JONË SONDAZH

