Patozi: Basha pret që Rama të rrëzohet vetiu
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi akuzoi Lulzim Bashën, kreun e PD-së, se si një politikan të dobët që pret që Qeveria Rama të rrëzohet vetvetiu.
I ftuar në studion e Abc News, Patozi theksoi se opozita e sotme nuk ka shenja “agresiviteti” por përkundrazi, është një lëvizje pasive që në të shumtën e kohës pret kundërshtarin politik.
“Ia kam thënë Lulzim Bashës që asnjë fitore nuk vjen duke pritur. Ai nuk duhet të presë derisa të rrëzohet Rama për të ardhur në pushtet.
Ka njerëz që thonë se Bashës i erdhi koha, pasi pas tre vitesh janë zgjedhjet. 8 vite qëndroi PS në pushtet me Nanon dhe po 8 vite qëndroi dhe PD në pushtet me Berishën, por mund të themi që në të dy rastet opozita ka qenë agresive.
Madje ajo e Sali Berishës ka qenë edhe më agresive. Kjo e sotmja është një opozitë pritëse”, tha Patozi.
Sa i përket rolit të ish-Kryeministrit Sali Berisha, Patozi thotë se e kupton rolin që ai ka zgjedhur të mbajë.
“Berisha? Ai është ende aty. Ai ka thënë që nuk përzihet në vendime të rëndësishme të partisë, por as edhe në debatin e brendshëm. Është një zgjedhje e tij. Ai mbetet një deputet aktiv. Këtë e demonstron çdo ditë”, tha Patozi.
Çfarë kauzash mund të trajtoheshin më fort?
Unë nuk besoj se kjo është vetëm çështje kauzash. Nuk mbajnë gjatë, duhet një shumatore kauzash që të krijojë bindjen që opozita është ndryshe nga qeveria. Për opozitën askush ende nuk mendon që është gjëja e duhur apo shpresa, ky është difekti më i madh që ka Lulzim Basha.
Njerëzit e provojnë nën lëkurë. Ti duhet ta faktosh me gjeste dhe prova që ti je i ndryshëm. Ne jemi në këtë pikë sot prandaj nuk ka asnjë avantazh qoftë edhe të lehtë opozita në raport me qeverinë, edhe pse arsyet janë të shumta. Lulzim Basha nuk e bën dot këtë.
Sepse Lulzim Basha duhet të ngrejë një furtunë që të godasë sistemin, por ai nuk është i përgatitur për këtë, sepse ai po pret te ferra. Ai nuk do një sistem tjetër, por do që përmes këtij sistemi të bëjë të njëjtën gjë.
Ai nuk i ka këto kauza. Duhet t’i ketë së brendshmi, t’i ndjejë. Unë druaj shumë që situata për PD do të vijë duke u përkeqësuar.
Si po mbahet opozita në parlament?
Po ça të them unë se duket sikur s’jam unë dhe disa kolegë dhe ka rënë opozita. Edhe po të isha unë nuk e ndryshonim dot këtë, se mungon ai “çelësi i artë”. Lulzim Basha po krijon kauza teknike. Unë e di që nuk është mirë që t’i ndërpritet fjala një deputeti, por nuk besoj se kjo është më e rëndësishme sesa të lesh debatin e të enjtes dhe të kapesh pas “më preu fjalën, s’më la të flas”.
Ndjehesh keq kur e sheh këtë opozitë në parlament?
Sigurisht që ndihem keq. Por jam ndjerë keq edhe kur kam qenë unë aty. Opozita ka njëmijë arsye që të jetë ajo ndezësja e debatit, por ne nuk e shohim këtë. Ai pa asnjë arsye futet në një debat personal me kryeministrin që nuk është një fushë e tij dhe nuk ka arsye ta ndjekë.
KOHA JONË SONDAZH

