Peleshi: Nëse humbim negociatat nuk ka rëndësi kush fiton zgjedhjet
Ish-ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi deklaroi sot në Kuvend se vëmendja e politikës duhet të jetë të procesi i integrimit, i cili ndodhet në një moment të rëndësishëm dhe jo te zgjedhjet.
Fjala deputetit dhe ish-ministrit sot në Kuvend
Shqipëria prej muajsh po furnizon mediat ndërkombëtare me imazhe që vizatojnë një vend në tym e flakë. Nuk është hera e parë që padurimi për pushtetin shkel në interesin afatgjatë të shqiptarëve. Ende nuk kemi kuruar imazhin që la pas viti ’97 e tani na duhet të shplajmë tymin që do të mbetet për vite të tëra në përfytyrimin e të huajve për Shqipërinë.
Absurdit politik tani i është shtuar edhe absurdi institucional. Koston e situatës ku ndodhet sot vendi, e kupton me një ushtrim të thjeshtë: Lexo raportin e progresit të komisionit Europian.
Aty flitet paragraf pas paragrafi për tema të harruara prej muajsh nga opozita. Për fushat e sektorët e zhvillimit ekonomik e social të vendit. Aty gjen progresin, aty gjen edhe sfidat. Pra mundësinë për të bërë opozitën normale të alternativave dhe zgjidhjeve më të mira.
Por ne sot nuk jemi në kushtet e normalitet demokratik. Jemi në kushtet e ngutit politik që ka injoruar ngutin e shqiptarëve për zhvillim. Madje edhe hapja e negociatave për integrim në BE, duket se ka kaluar në plan të dytë në diskutimet qytetare e politike. Hapja e negociatave është bërë një togfjalësh që meqënëse është lakuar shumë herë mbase tingëllon si një text pa përmbajtje. Në të vërtetë për Shqipërinë moshapja e negociatave është si humbja e trenit.
E në nuk mund ta dimë nëse do të ketë një tren tjeter. Vecse shtyrja edhe më larg Europes është aq e vështirë të përballohet nga shqiptarët sa c’është e lehtë të thuhet. Në qoftë se ne do të dështojmë në procesin integrues nuk ka më asnjë vlerë se cila parti fiton zgjedhjet. Koha që humbet vendi ëeshtë rinia e fëmijëve të fëmijëve që lindën në vitin ’90 kur në qiellin shqiptar u dëgjua për herë të parë klithma “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Para kësaj llogarie opozita nuk mund të ndërtojë dot më një narrativë politike. Por logjika racionale duket naive në një kohe kur opozita i ka ikur kaq larg rrugës së re që Shqipëria ka zgjedhur pas dhjetorit ’90. Asnjëherë më parë nuk kemi qenë kaq pranë një përplasjeje poltike që dukshëm do të ketë edhe humbësit e mëdhenj. Sa herë që ka një përplasje ka edhe një pyetje: Në cilën anë qëndron e drejta?
Përgjigjen e kësaj pyetje në rastin e krizës sonë politike duhet ta gjejmë brenda raporteve që palët tona në këtë krizë kanë me sistemin. Me sistemin e demokracisë. Me të drejtën e zgjedhësve për të zgjedhur. Me detyrimin e të zgjedhurve për llogaridhënie dhe të maxhorancës për ndërtimin e mjedisit të përshtatshëm për të zgjedhur lirshëm.
Partia Socialiste e Shqipërisë është regjistruar brenda afateve ligjore për zgjedhjet e dekretuara nga Presidenti në përputhje me të drejtën kushtetuese. PSSH, aleatët e saj dhe deputetet e mandatuar së fundi në radhët e partive opozitare po përpiqen të veprojnë në mënyrë normale brenda anormalitetit që ka krijuar bojkoti radikal i opozitës. Ky anormalitet është shkaku i krizës politike që tashmë pas dekretit të fundit të presidentit ka marrë edhe përmasën e një krize institucionale.
Ne jemi të vetëdijshëm edhe për përgjegjësinë që ka maxhoranca, për të bërë gjithçka që ka në dorë për të dialoguar dhe arritur marrëveshje në të mirë të stabilitetit dhe normalitetit politik. Në vitin 2017 si edhe më parë treguam se jemi të gatshëm të merremi vesh edhe duke bërë lëshime të sikletshme. Por këtë herë duket se forca që na ndan është më e madhe se nevoja për mbijetesë politike që na afron.
Duket si një krizë politike që vjen nga domosdoshmëria historike për të krijuar një ekuilibër të ri ndërmjet partive tona dhe të ardhmes së shqiptarëve. Unë kam folur disa herë në këtë foltore për përpjekje të përbashkëta për vetrregullim në vend të vendshkatërrimit. Por me sa duket po shkojme drejt një situate konfuciane. Jashtë nesh është Shqipëria me problemet dhe aspiratat e saj, që tani po ben pauzë. Skenën e debatit publik e ka marrë të gjithën politika.
Nuk ka kosto më të madhe se kjo për vendin. Ndaj duhet të votohet në 30 qershor. Nuk mund të kërkojmë një datë të re sepse nuk na ka munguar koha. Na ka munguar vullneti dhe interesi i opozitës për të dialoguar. Nuk na ka munguar hapësira për rrugëzgjidhje. Na ka munguar vetëdija për dëmin që paguan cdo familje shqiptare.
Në 30 qershor duhet të votohet që të fillojmë të flasim për punët e mëdha, të flasim për të rinjtë, për studentët, për arsimin, për shëndetsine, për ristrukturimin ekonomik, për punësimin, për femijët, për pensionistët, për qytetin, për fshatin.
Të flasim për SHQIPËRINË reale. Kjo është Shqipëria e njerëzve që takojmë cdo ditë. Në rrugë, në park, në njësitë e shërbimit kur afrohemi për të paguar dhe gjithmonë dëgjojmë ose ndiejmë dëshperimin për këtë atmosferë politike që për ta përkthehet në më pak shitje, më pak të ardhura, më pak shpresë. Një ditë, heret apo vone, me mire herët se sa vone, te gjithe do te takohemi me kete deshperim ne kutine e votimit. Ky sistem mund të dëmtohet, mund të bojkotohet përkohësisht por nuk mund të thyhet, nuk mund të kthehet mbrapsh. Për në, për PS dhe gjithë forcat e tjera pozitive, është e rëndësishme të qëndrojmë në anën e demokracisë, në anën e interesit t qytetarëve, në fshat e në qytet, për të merituar të drejtën e përfaqesimin të mëtejshëm në qeverisjen e punve kombëtare e lokale. Une mendoj se vullnetit për dialog nuk duhet t’i largohemi deri ditën e fundit.
Deri në 30 qershor. Madje edhe më pas. Më pas do të ketë zhvillime politike që mund ta ndryshojnë kryekeput konfiguracionin opozitar politik. Por kjo nuk është çështja që i shqetëson më shumë shqiptarët.
KOHA JONË SONDAZH

