Presidenti Meta uron Macron për Festën Kombëtare të Francës: Mirënjohje për mbështetjen që po na jepni për integrimin

Presidenti Ilir Meta i përcjell urimet homologut francez, Emmanuel Macron, me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës.

Në mesazhin e tij të urimit, Presidenti Meta thekson se fryma e bashkëpunimit mes dy vendeve do të forcohet edhe më tej.

Mesazhi i Metës:

Swiss Digital Desktop Reklama

I nderuar President, Sh.T.Z Emmanuel Macron,
Me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës, më lejoni që, në emrin tim dhe në emër të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të mira e të sinqerta për Ju personalisht dhe për popullin mik të Francës.
Në një ditë kaq të rëndësishme për vendin dhe popullin Tuaj, jam i kënaqur të konstatoj se marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë mbështeten në miqësinë, bashkëpunimin dhe partneritetin e shëndoshë euroatlantik.
Jam i bindur se, kjo frymë bashkëpunimi do të forcohet edhe më tej, veçanërisht në përballjen me sfidat globale e rajonale, që të dy vendet do të kenë përpara në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Organizatë së Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria do të jetë anëtare jo e përhershme, duke filluar nga 1 janari 2022.
Besoj fort se, tradita e shkëlqyer e bashkëpunimit mes dy vendeve do të zgjerohet edhe më tej në fushën ekonomike, tregtare dhe në rritjen e investimeve franceze në vendin tim.
Më lejoni gjithashtu të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e rëndësishme dhe inkurajimin, që Ju dhe Franca, i keni dhënë dhe po i jepni Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, që mbetet qëllimi madhor, strategjik dhe kombëtar i popullit dhe vendit tim!
Duke shprehur vullnetin e sinqertë për forcimin më tej të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Francës, Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?