Qasja enveriste e Ramës ndaj mediave

Sokol PAJA
New York
Në të gjitha regjimet autoritare, lufta ndaj medias është pjesë e pandashme e propagandës shtetërore me qëllim fshehjen e dështimeve e skandaleve të qeverisë, ç’qëndërzimin e vëmëndjes së opinionit publik, shmangien nga përgjegjësia dhe krijimi i një realiteti imagjinar krahas problemeve reale që kalon vëndi. Etja e kryeministrit Rama për të kontrolluar me ligj dhe dënuar institucionalisht çdo media që guxon të kritikojë regjimin është një qasje e pastër totalitare. Lufta e Ramës ndaj mediave të kujton leksionet mbi gazetarinë që mbante Enver Hoxha nëpër koperativat bujqësore në fshatrat e myzeqesë në vitet 60′. Regjimi autoritar i Edi Ramës ka hapur një spirale të shëmtuar lufte ndaj fjalës së lirë. Që pas ardhjes në pushtet, Rama u tregua shumë dinak në marrëdhënie me mediat. Pasi i zotëroi deri në skllavërim 90 të mediave audiovizive, online dhe print pasi i poshtëroi publikisht duke i quajtur kazan, fundrrina e së fundmi edhe kriminelë, me paketën e re ligjore anti-shpifje ai po zyrtarizon funeralin e medias dhe të fjalës së lirë në Shqipëri. Rama në administrimin e pushtetit dhe marrëdhënien e tij me median dhe aktorë të tjerë, reflekton qartazi një qasje enveriste. Që propaganda shtetërore komuniste të ketë sukses, duhet shpikur një armik i cili trumbetohet nga agjit-propi shtetëror si rrezik, kërcënim, shkatërrim i unitetit parti-popull. Enveristi Rama e gjeti armikun fajtor median. Arroganca shtetërore, ndërsimi i orkestruar, egoizmi dhe nervozizmi i funksionarëve publikë, paaftësia në menaxhimin e katastrofës pas termetit, keqqeverisja 6 vjeçare, dështimi fatal i politikave publike, korrupsioni galopant, rënia ekonomike, oligarkia, shpopullimi i vëndit, varfërimi i tejskajshëm i shqiptarëve, kontrolli mbi të gjitha institucionet e varura dhe të pavarura, asgjësimi i opozitës, zgjedhjet moniste,  dështimet e njëpasnjëshme, sipas Ramës janë për fajin e medias. Kjo një gjetje aspak inteligjente e pushtetit autoritar të Ramës në një kohë kur nevoja për qeverisje të mirë dhe rindërtim është më e madhe se kurrë. Rama në luftën ndaj medias ka ngjallur modelin totalitar të Enver Hoxhës. Në Shqipërinë komuniste në vitet 60, diktatori Hoxha në një bashkëbisedim me koperativistët e fshatit Krutje, u mban atyre leksione gazetarie, më gjasmë duke sulmuar gazetarët e kohës që nuk pasqyronin si duhet lumturinë e masave në komunizëm dhe fitoret e revolucionit proletar. Hoxha i fton koperativistët dhe i mëson sesi të  shkruajnë e raportojnë dhe madje i nxit që më çdo kusht të pasqyrojnë parajsën komuniste. Të njëjtën gjë po bën dhe Rama e instrumentat e tij politik e propagandistik ku fajësojnë median për qeverisjen e keqe dhe paaftësinë në përmbushjen e detyrave publike. Lufta ndaj medias, shtypit, botimeve, është kthim në diktaturë. Çdo akt që prek lirinë e medias është atentat ndaj demokracisë. Sot Shqipëria nuk ka nevojë për ligje që i marrin shpirtin fjalës, por për fjalë e vepra të mira që të ndërtojmë një shtet institucionalisht dhe shpirtërisht të shëndoshë përballë sfidës së ringritjes, rindërtimit, zhvillimit dhe integrimit kombëtar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?