Qytetarët spiunë? Lleshi: Ose me Policinë ose me të keqen
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, i ka kushtuar disa rrjeshta në Twitter, bashkëpunimit me qytetarët. I shqetësuar se disa media apo individë i kanë cilësuar qytetarët që denoncojnë krimin pranë autoriteve policore si spiunë, Lleshi thotë se qytetarët kanë vetëm dy rrugë. ”Ose qytetarët bëhen bashkë me Policinë për ta mposhtur të keqen kriminale, ose ata qëndrojnë indiferente apo bashkëpunojnë me të keqen, për të rrënuar të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Bashkëpunimi me Policinë është qytetari në çdo vend evropian. Stigmatizimi i bashkëpunimit është barbari. Mbështeteni Policinë tuaj”,shkruan në Twitter ministri Lleshi.
Postimi i plotë
Hapësirat e reja të komunikimit me qytetarët po japin rezultate inkurajuese në punën e Policisë. Kriminelë apo shkelës të tjerë të ligjit po vihen përpara përgjegjësisë falë informimit të qytetarëve.
Për fat të keq, disa individë apo media të izoluara i etiketojnë si “spiunë” ata që bëjnë detyrën bazë qytetare: angazhimin për sigurinë e përbashkët. Por ne vazhdojmë bashkë, për ta ndërtuar bashkë me qytetarët, sigurinë dhe të ardhmen.
Ka vetëm dy rrugë: ose qytetarët bëhen bashkë me Policinë për ta mposhtur të keqen kriminale, ose ata qëndrojnë indiferente apo bashkëpunojnë me të keqen, për të rrënuar të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Bashkëpunimi me Policinë është qytetari në çdo vend evropian. Stigmatizimi i bashkëpunimit është barbari. Mbështeteni Policinë tuaj!
KOHA JONË SONDAZH

