Rama, kryebashkiakëve: Mos u përzieni me prokurimet publike. Mos luani me një zjarr që do bëhet gjithnjë e më përvëlues
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar disa herë kryebashkiakët gjatë takimit të sotëm në kryeministri se do të përballen me drejtësinë të vetëm nëse përzihen në afera korruptive.
Rama u kërkoi krerëve vendorë t’i vënë gishtin kokës dhe të kuptojnë se mandati i tretë kërkon përkushtim të trefishtë.
Ai paralajmëroi kryebashkiakët të mos përzihen me prokurimet publike, të mos luajnë me një zjarr që do bëhet gjithnjë e më përvëlues.
“Arsyeja e parë themelore pse ju thirra është që të gjithë pa përjashtim, troç, ti vini mirë gishtin kokës, të kuptoni në mish e në shpirt se mandati ynë i tretë kërkon një përkushtim të trefishtë ndaj popullit, seriozitet të trefishtë ndaj privilegjit për t’i shërbyer këtij populli, një vetëdijësim të trefishtë për domosdoshmërinë e trefishimit të nivelit të performancës qeverisëse të bashkive tona, të qeverisë tonë, të agjencive e të drejtorive të nivelit ekzekutiv.
Po të shohim majën ku duam të ngjitemi është absolutisht i pamjaftueshëm. Duke e mbyllur këtë parantezë, po kthehem tek arsyeja e parë, prokurimet publike. Kërkoj vëmendjen tuaj të plotë në këtë aspekt dhe uroj në reagimin tuaj sa të menjëhershëm, aq dhe të pandërprerë deri në fund të mandatit për të garantuar drejtësi, cilësi, transparencë dhe shpejtësi në prokurimet publike. Nuk po i hyj sot fakteve e shifrave që tregojnë se sa është përmirësuar sistemi dhe cilësia e prokurimeve publike se nuk është ky qëllimi i kësaj mbledhjeje, por duke qenë se pakënaqësia është që nga dita e parë në jetën time publike dhe do jetë deri ditën time të fundit një konstante e punës së përditshme me veten, me ju, me qeverinë, me të gjitha institucionet e këtij shteti edhe për prokurimet publike kam kërkuar reformimin e mëtejshëm.
Sapo ka hyrë në fuqi paketa e re ligjore në fushën e prokurimet publike. Përmirëson ndjeshëm kuadrin rregullator. Paketa e re synon të rrisë integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, qoftë autoriteteve kontraktore, qoftë operatorë ekonomikë. Ju ftoj të merrni sa më shpejt në laps ta studioni këtë paketë dhe të kërkoni nga strukturat tuaja për prokurimin të bëjnë të njëjtën gjë. Ju sugjeroj shumë dashamirësisht të mos përziheni me procesin e prokurimeve publik, të mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do ketë gjithë mbështetjen time dhe të PS kundër kujto prej jush ose kujtdo qoftë që do luajë me zjarrin”, deklaroi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

