Rama mbledh ministrat: 70% e tenderave me probleme! Nëse nuk reagoni, do ju çoj në SPAK
Pas kryebashkiakëve, Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot ministrat për paketën e re të prokurimeve publike.
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se 70% e tenderëve të bërë kanë pasur probleme, ku pjesa më e madhe ka pasur probleme sa i takon hartimit të kritereve. Por sipas Ramës, problematika më e madhe mbetet mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve nga ana e Agjencisë së Prokurimeve.
Kryeministri Edi Rama u ka bërë të qartë ministrave se nëse nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre pas rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike për tendera me probleme, do t’i çojë në SPAK.
“Në një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër të Prokurimeve Publike, në radhë të parë duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak, dhe duke funksionuar kështu, si pjesë e një zinxhiri ku komunikimi duhet të jetë 100% i garantuar. Rekomandimet e APP nuk janë as në Bibël e as në Kuran, edhe pse këto përsëri hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve, por ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa të mos ketë fare përgjigje, a thua se kjo APP mbyll letra në shishe dhe i hedh në det, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK nga kryeministria, pastaj a është i qëllimshëm apo injorancë këtë çështje pastaj e kanë hetimet. Janë disa objektiva të realizueshëm, që afatet janë të padiskutueshme. Shmangia e kritereve të qepurave me dorë që kufizojnë konkurrencën me paketën ligjore është mundësuar që të adresohet me efikasitet, tërheqjet nga gara, rrotacionet në ofertim, ofertimet fiktive duhen marrë masa që të bëhen hetime administrative”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

