Raporti i PE, Bushati: Shqipëria konfirmon progres, negociatat në qershor
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e ka cilësuar një lajm të mirë miratimin e raportit për Shqipërinë nga PE.
Në një postim në twitter, Bushati shkruan: Shqipëria konfirmon progresin e qëndrueshëm në reformat lidhur me BE dhe miraton rrugën e përcaktuar nga Këshilli për të hapur negociatat për anëtarësim në BE në qershor të 2019.
Më herët Partia Demokratike nuk ndau të njëjtin qëndrim me Bushati, duke u shprehur se raporti nxin Shqipërinë dhe flet qartë për koncensionet me PPP të qeverisë dhe korrupsionin.
Parlamenti Europian: S’ka datë për hapjen e negociatave me BE-në
Shqipëria do të hapë negociatat me Bashkimin Europian vetëm kur të përmbushë kushtet e vendosura. Në mbledhjen e Parlamentit Europian, u shpreh shqetësim nga eurodeputetët për nivelin e korrupsionit dhe mungesën e efikasitetit në drejtësi.
Po ashtu, Parlamenti Europian miratoi me 44 vota pro, 5 kundër dhe 5 abstenim, raportin për 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Sa i përket negociatave, Parlamenti Europian e ka thënë qartë se do të hapen kur Shqipëria të përmbushë kushtet e nevojshme, duke mos pasur një datë të caktuar.
Raporti Fleckenstein mbështet hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE në qershor të 2019, me kusht që vendi të përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme. Raporti Fleckenstein njeh progresin e bërë me fillimin e zbatimit të reformës së drejtësisë dhe procesit të Vetingut, për të rritur pavarësinë dhe profesionalizmin e gjyqësorit. Por dobësia kryesore e vendit për eurodeputetët mbetet zbatimi i pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Në kompromiset dhe amendamentet e votuara nga eurodeputetët shprehet shqetësimi për nivelin e lartë të korrupsionit, ritmin e ngadaltë dhe joefikasitetin e sistemit të drejtësisë, si dhe faktit që mangësitë e sundimit të ligjit dhe procedurat e vështira rregullatore vazhdojnë të pengojnë investimet në vend.
Eurodepuetët kërkojnë në mënyrë këmbëngulëse rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të narkotikeve, pastrimit të parave, zgjidhjen e çështjes së pronave dhe respektimin e standardeve europiane për ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Vjosa dhe hidrocentaleve të tjera. Raporti për Shqipërinë pritet të votohet në seancë plenare të Parlamentit Europian në fillimit të nëntorit.
Reagimi i opozitës
Pak minuta pas votimit të djeshëm në Bruksel, Partia Demokratike ka reaguar për miratimin e raportit për Shqipërinë nga Parlamenti Europian. Në një deklaratë për mediat, selia blu tha dje se ndërsa Edi Rama ka harruar tashmë detyrën e tij, duke e fokusuar punën vetëm në sulmet ndaj kundërshtarëve e medias, Parlamenti Europian nxin Shqipërinë në Raportin e votuar për vendet e Ballkanit. Partia Demokratike thotë se PE-ja vëzhgon e monitoron “bëmat” e reformave të qeverisë, duke dalë në konkluzione dëshpëruese për shqiptarët.
“Korrupsioni në administratën publike vazhdon të mbetet shqetësim serioz. Abuzimi me buxhetin e shtetit , me Koncesionet, partneritetet e qeverise me klientët e saj oligarkë. Administrata e paaftë dhe e korruptuar. Me këtë imazh jemi ne sot përballë syve e gjykimit të vendeve të Bashkimit Europian. E shumë-trumbetuara reformë ne drejtësi ( që në fakt është në duart politike të këtij pushteti) është në mungesë efiçience” vijon deklarata e PD, duke shtuar se ky është një tjetër argument i këtij raporti që na paralajmëron që sërish vendi ynë nuk është gati për çeljen e negociatave.
Për demokratët, kjo është një tjetër shuplakë për këtë qeveri,e cila edhe në këtë rast do përpiqet ta promovojë si sukses për Shqiptarët.
“Por ne e dimë, shqiptarët e dinë e madje edhe ndërkombëtarët e dinë dhe e thonë se e zeza nuk është e bardhë. Vetëm pasqyra e propagandës së qeverisë nuk e sheh imazhin përçundues që po tallet çdo ditë me fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kjo duhet të marrë fund e kjo ndodh me çlirimin e Shqipërisë nga kjo e keqe”- thotë PD-ja në reagimin e saj. Por raporti i sotëm nuk e bën të ndjehet mirë as opozitën.
“Natyrisht që nuk ndjehet mire as opozita dhe askush kur merr vlerësime të tilla për vendin tënd. Përkundrazi të gjithë të jemi bashkë në përpjekje më të keqen”- tha Partia Demokratike.
KOHA JONË SONDAZH

