Reagon Kryeministri ndaj Presidentit
Pas reagimit të fortë të Presidentit Ilir Meta, ka ardhur reagimi i Kryeministrit Edi Rama. Përplasja ka ardhur pas mosdekretimit të Gent Cakajt si Ministër të Jashtëm.
”Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, ngaqë s’di si të dalë nga gropa që i hap vetes! I çova provat e mëkatit ndaj Gentit dhe vuan tani”,-shkruan Rama në Twitter.
Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj eshte ne ate fazen kur i ben thirrje popullit per te marre armet, ngaqe s'di si te dale nga gropa qe i hap vetes! I çova provat e mekatit ndaj Gentit dhe vuan tani🤔
— Edi Rama (@ediramaal) January 11, 2019
Statusi i plotë i Presidentit Ilir Meta
Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!??”, shkruan Meta në faqen e tij në Facebook.
KOHA JONË SONDAZH

