Sali Berisha: Me Presidentin e ri, Rama futi në “kthetrat” e tij dhe institucionin e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të PS
Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat ditën e sotme denoncoi zgjedhjen vetëm me votat të PS-së, të Presidentit të ri Bajram Begaj.
Berisha tha se tani vendi ndodhet në monizëm.
“Jam këtu për të bërë një deklaratë në emër të PD. Në Shqipëri vendoset monizmi i plotë.
Pas zgjedhjes më 6 qershor 2022 me votën vetëm të PS të Presidentit të Republikës, Edi Rama vendosi nën pushtetin e tij dhe institucionin e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të tij dhe në vend u rivendos sistemi monist i plotë dhe u varros sistemi demokratik i bazuar në ndarjen dhe balancën e pushteteve të garantuar në Kushtetutë.
Kështu sot në Shqipëri për herë të parë pas 31 vitesh të gjitha pushtetet pa përjashtim janë në duart e një njeriu të vetëm.
Ndodh në çdo pushtet, legjislativ, gjyqësor dhe çdo institucion tjetër të pavarur. Në pushtetin ekzekutiv, çdo ministër, zv. Ministër, drejtor i përgjithshëm, është përfaqësues i një force të vetme, atë të PS-së.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, kryetari, Drejtori i SHISH, ILDKPKI, Drejtues të Bordeve të Konkurrencës, Telekomunikacionit, funksionarët e këtyre institucioneve janë të emëruar nga PS.
Sot në këtë shtet monist, kryetarët e institucioneve të drejtësisë, ILD, KLP, KPK, KPA, Prokurorisë së Përgjithshme, të gjithë gjykatësit e Gjykatës së Lartë, janë të përzgjedhur dhe emëruar nga mazhoranca e PS-së. Një total i tillë partiak nuk ka ekzistuar. Sot në Shqipëri, të gjithë drejtuesit e komisioneve parlamentare, të gjithë drejtuesit e delegacioneve parlamentare, janë deputetë të PS-së, dhe në raste të veçanta të veglave të saj, Basha-opozitarëve”, tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

