Sërish tensione në Devoll, policia blindon bashkinë
Mëngjesi i kësaj të hëne ka nisur sërish me tensione në Bashkinë e Devollit. Kryebashkiaku i ri, Eduard Duro, i dalë nga votimet e 30 qershorit, ka mbërritur në zyrë që në orën 06:30. Ndërkohë, ambientet e brendshme dhe të jashtme të godinës janë blinduar me forca të shumta policie, të cilët ndodhen aty që prej mesnatës.
Nga ana tjetër, raportohet se në bashki ka mbërritur edhe ish-kryebashkiaku Bledion Nallbati, i shoqëruar nga administrata.
Në fjalën e tij para gazetarëve, ish-kryebashiaku ka deklaruar se bashkia është pushtuar dhe administrata nuk mund të punojë nën terrorin e policëve. Ai është shprehur se do të vazhdojë t’u shërbejë qytetarëve dhe do shkojë çdo ditë te bashkia.
“Bashkia u dhunua në prezencë të deputetëve dhe prefektit të Korçës. Brenda bashkisë ka Forca Speciale. Unë jam kryetari i ligjshëm i bashkisë, i zgjedhur nga 59% e qytetarëve. Do jem këtu çdo ditë, 24orë në ditë.
Do të vazhdoj t’u shërbej qytetarëve. Bashkia është pushtuar. Nuk di ç’ka ndodhur me dokumentacionin që ndodhet në zyrë. Administrata nuk mund të hyjë në bashki dhe të nisë punën nën terrorin e policisë”, ka thënë Nallbati.
Ndërkohë, nga ana e saj opozita ka paralajmëruar protestë kundër kreut të ri të bashkisë, Eduard Duro, i cili u betua të premten, duke marrë zyrtarisht detyrën. Mbështetësit e opozitës kanë nisur të grumbullohen para bashkisë, ndërsa nuk përjashtohen edhe përplasjet.
KOHA JONË SONDAZH

