Spahiu: Si mbulohen skandalet e “rilindjes” me shkarkime!
Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, i ka cilësuar qesharake shkarkimet e qeverisë dhe arrestimet e fundit të Prokurorisë. Ai thotë se me këto lëvizje, fajtorët po përpiqen të gjenden te LSI-ja, por që po i shpëtojnë drejtësisë zyrtarët e lartë të qeverisë aktuale, që kanë kryer abuzime me miliarda lekë.
Spahiu rendit shkeljet e Unazës së Re dhe koncesione me rrugët.
“U shkarkuan 7 ministra, dhe bashkë me ta u harruan skandali i “Unazës së Re”, abuzimet me rrugët dhe financat. Pas Ministrave, radha u erdhi Drejtorëve, të cilët firmosën vjedhjet… Vetëm në Ministrinë e Energjisë u shkarkuan 6 drejtorë, duke u shkërmoqur komplet si institucion…. Dhe pas gjithë këtyre skandaleve, prokuroria çfarë bën?! Vazhdon me estradë arrestimesh politike, duke kërkuar fajtorët te LSI… Shumë mirë bën, por kjo prokurori përveç byzylyqeve, a do merret ndonjë ditë me këto miliarda që avullojnë çdo ditë?!”.
Spahiu shprehet i habitur nga fakti që pas dhjetëra koncesioneve abuzive, nuk ka nisur asnjë hetim nga ana e Prokurorisë. “Si ka mundësi që janë bërë 1 miliard euro koncesione, shumica abuzive, dhe nuk ka nisur asnjë hetim…. Si ka mundësi që përgjimet kanë plasur sheshit për blerje votash dhe asnjë fletë-arresti… Herën tjetër arrestoni ndonjë roje dhe mundësisht akuzojeni për skandalin e Unazës së Re”, – e mbyll komentin deputeti i LSI-së.
KOHA JONË SONDAZH

