Vasili nga KDK e LSI-së: Opozita do ta ndalë dorën e kriminelëve që kanë rrëmbyer pushtetin

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili gjatë fjalës së tij në mbledhjen e sotme të KDK-së së kësaj partie, deklaroi se opozita ka marrë vendimin e pakthyeshëm për të mos bërë asnjë hap prapa derisa e drejta e gjithsecilit, e drejta e çdo shqiptari pa përjashtim, të shkojë në vend.

Sipas tij, Opozita shqiptare është garanci e sigurisë kombëtare, që duke protestuar fort do t’u ndalë dorën kriminelëve që kanë rrëmbyer pushtetin, që po destabilizojnë vendin, mos ta lënë më në duart e krimit të organizuar, në duart e trafikantëve, por shteti të mbizotërojë dhe jo horrat e pushtetit. Dhe për këtë arsye ne do të jemi atje, pa bërë asnjë gram lëshim.

Fjala në KDK e Petrit Vasilit

Swiss Digital Desktop Reklama

Të nderuar anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar, ose më mirë me thënë: Të nderuar bashkëluftëtarë! Sot, ne startojmë në një rrugë, të cilën të gjithë bashkë e kemi ndërtuar, por një rrugë në të cilin kemi marrë vendimin e pakthyeshëm për të mos bërë asnjë hap prapa derisa e drejta e gjithsecilit nga ne, e drejta e çdo shqiptari pa përjashtim, të shkojë në vend, pasi të drejtat janë rrëmbyer nga një grup kriminal, i cili edhe fjalën ‘kriminal’ e ka pak për të atë dëm të tmerrshëm që i ka bërë shqiptarëve, por edhe themeleve të këtij shteti. 16 shkurti dhe dita e djeshme janë në radhë të parë dhe mbi të gjitha homazh për të gjithë ju, për atë vlerë, për atë ringritje, ringjallje të krenarisë qytetare, të largimit të të gjitha impresionimeve të krijuara nga një propagandë e tmerrshme e karakterit nazist që u është ushtruar shqiptarëve në këto vite, dhe përgjigja më e tmerrshme që u është dhënë nga ju të gjithë, ku sigurisht as vlerësimet, as falënderimet të gjitha bashkë nuk mjaftojnë, dhe këtë ja u them me gjithë zemër dhe me shumë sinqeritet ashtu siç kemi komunikuar gjithmonë, pasi çdonjëri nga ju dhe secili nga ata që ishin në ato sheshe dhe që të cilët do të vazhdojnë të jenë në atë sheshe pa u tërhequr, po bëjnë një mision shumë të madh për të sotmen, por edhe për të ardhmen e këtij vendi. E ardhmja e këtij vendi ndërtohet sot. Në rast se të gjithë ju nuk do të ishit atje, ata mijëra të tjerë, edhe ata që nuk janë në sallat tona, por që meritojnë lavdërime pa fund, të cilët jo rastësisht në atë shesh kishte vetëm parulla dhe nuk kishte flamuj të partive, sepse po përballemi me një të keqe të madhe, mbetet një gjë e cila nuk lëviz. Është një mision që po bëjmë për të ardhmen e këtij vendi. Ata që kanë një moshë më të madhe për fëmijët, për nipërit, për mbesat, të rinjtë për veten e tyre, por një e ardhme që ndërtohet sot. Minutë kohe nuk kemi për të humbur. Jemi në një emergjencë, të cilët vetëm ju, vetëm ne mund ta zgjidhni. Sot ne jemi atje, për të ndërtuar atë që Kryetarja e LSI e ka formësuar si filozofi për të rindërtuar shtetin. Ne nuk kemi shtet dhe me këtë bindje duhet të shkoni në çdo derë të gjithë atyre miqve të paçmuar, burra, gra, të rinj e të reja që janë pjesëtarë të kësaj kryengritje të madhe tonën për të ringritur shtetin, sepse shtet nuk ka në drejtësi, në qeveri jo e jo, në prokurori, nuk ka asgjëkund. Ka qytetar që sakrifikohet, që sakatohet, që i rrëmbehet prona, i rrëmbehet çdo e drejtë dhe ka një qeveritar që qesh i qetë, për çfarëdolloj zullumi që ka bërë. Ne sot jemi atje për të luftuar për një të drejtë të madhe, që të jemi të gjithë të barabartë para shtetit dhe para ligjit. Njëherazi ju duhet të kuptoni të gjithë, sigurisht jemi të pa shqetësuar dhe të patrembur, por pa të njohur më mirë nga të gjithë, kemi një grup që nga foltorja e LSI i kemi quajtur pa hezitim, grup puçistësh, të cilët përdorin instrumentet e shtetit kundra qytetarëve të tyre. Janë aty për të mbështetur qytetarët, ndërkohë që përdorin instrumentat e shtetit kundër qytetarëve. Si i përdorin? Kryeministri i vendit doli një natë më përpara, paralelisht me Kryetaren e LSI e tha që në Kuvendin e Shqipërisë do dalin akte të shëmtuara. Pak përpara tij, Kryetari i Kuvendit, ky që ka vetëm 2 prillin në mendje, se po të ishte për të, ka mundësi që ata protestuesit të kalonin në plumb të gjithë, ky Gramoz Ruçi, ky që ikën me fustane, bën dhe trimin ky. Ky e zë Parlamentin dhe i vë telat me gjemba, edhe këto foto kanë vajtur deri në SHBA, sepse sipas këtij protestuesit do dhunojnë sallën e parlamentin dhe personelin atje. Do shkonin protestuesit dhe do dhunonin personelin, pastrueset e parlamentit! Thotë ky, ky trimi i 2 prillit që iku me fustan. Pastaj del policia e cila thotë, kemi njoftime për grupe kriminale, për veprimtaria të rrezikshme që do ndodhin atje, pastaj ngrihet policia me vrap e u thotë këtyre, të pezullojmë telefonat. Orë të tëra njerëzit atje pa telefon, që ishin protestues, por ishin edhe qytetarë, ishin edhe familjarë. Dikush kishte një të sëmurë në familje, dikush kishte fëmijën, dikush kishte një nevojë jetike për të zgjidhur, dhe të gjithë këta ishin të izoluar sepse puçistët çfarë qëllimi kishin? Që ta dini shumë mirë, nga që kishin dhënë fjalën gjithandej që do ndodhi një protestë e dhunshme, protesta të mos kishte mundësi të kishte organizim, që gjithë organizatorët që ishin atje dhe kontrollonin dhe kishin marrë masa që çdo gjë të ishte e shkëlqyer, ashtu siç ndodhi, të dilte nga kontrolli, të kishte akte dhune dhe këta të venin e të qurraviteshin në dyert e ambasadave, ku janë mësuar të gjejnë disa ambasadorë klientë të tyre, që të thoshin: Po, ja kjo ishte opozita! Sigurisht që opozita, e cila nuk është një opozitë e thjeshtë, por është mazhorancë që ka marrë në duar fatet e vendit dhe ka përgjegjësi për vendin, ishte organizuar deri në detaje që çdo gjë të shkonte shkëlqyeshëm, që institucionet të mos prekeshin, sepse institucionet nuk janë të tyre, janë të popullit shqiptar. Do funksionojnë dhe nesër, këta të dalin përjashta, por institucionet janë të popullit. Janë tonat. Dhe për këtë arsye këta puçistë e konsideronin pa pikën e turpit opozitën si një rrezik të sigurisë kombëtare. Ç’është opozita shqiptare? Opozita shqiptare është garanci e sigurisë kombëtare, që duke protestuar fort t’u ndalë dorën kriminelëve që kanë rrëmbyer pushtetin, që po destabilizojnë vendin, mos ta lënë më në duart e krimit të organizuar, në duart e trafikantëve, por shteti të mbizotërojë dhe jo horrat e pushtetit. Dhe për këtë arsye ne do të jemi atje, pa bërë asnjë gram lëshim. Pse nuk duhet tu bëjmë lëshim? Se nuk duhet të lëshoj më as nga vetja, as nga liria, dhe as nga siguria dhe nga e ardhmja e fëmijëve tanë. Secili nga ne del atje për sigurinë dhe të drejtat e familjes së tij në radhë të parë. Sepse baza e opozitës shqiptare dhe e LSI në veçanti është familja dhe ne luftojmë për familjen shqiptare që ajo të jetë e qetë, që të kenë të ardhura për të jetuar në mënyrë dinjitoze dhe të mos jenë me mendjen prapa se njerëzit po shkojnë dhe mund të mos kthehen. Duke dashur ta mbyll këtë fjalë, dua t’ju them edhe njëherë, ajo që ju keni bërë këto ditë pa përjashtim secili nga ju, në mënyrë të dukshme dhe të padukshme, një gjë që bie në sy apo nuk bie në sy, por që e gjitha është e materializuar atje në ato sheshe dhe ato rrugë të mëdha është një kontribut që juve do t’jua njohë edhe partia, edhe familjet tuaja, edhe zoti lart. Pse jua them këtë gjë? Sepse sot është momenti që po shpëtohet ky vend. Dhe është në rrugën e duhur falë jush. Ju falënderoj të gjithëve me gjithë zemër.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?