Ylli Rakipi: Përpjekje e Berishës për të çmontuar gabimin që bëri në 2013, ka partinë me vete!
Ylli Rakipi, i ftuar në studion e lajmeve në MCN TV, ka komentuar Kuvendin e Partisë Demokratike, i cili ditën e sotme votoi për të shkarkuar Lulzim Bashën.
Rakipi tha se ngjarja e sotme, ishte formalizimi i përpjekjeve të Berishës, për të çmontuar gabimin që ai bëri në vitin 2013, me caktimin e Bashës si kryetar.
Rakipi tha se në PD duhet të hapet një proces i gjatë, ku në parti të rikthehen figura të rëndësishme, përndryshe caktimi i një personi tjetër si Basha, nuk i sjell asnjë të mirë partisë.
“Në këtë rast jemi në momentin kur, Sali Berisha dhe pjesa dërrmuese e PD, formalizojnë operacionin që kanë nisur për të çmontuar Lulzim Bashën, një njeri që e montoi para tetë vitesh vetë Sali Berisha.
Sot, ai dhe mbështetësit që janë shumë, e kanë të vështirë ta bëjnë çmontimin, sepse kur e merr dikë dhe e vendos, e hipën në një majë, nuk zbret tani.
Pjesa dërrmuese e PD po përpiqet të formalizojë largimin e një njeriu që e kanë katapultuar tetë vite më parë.
Rikthimi i Berishës në këtë rast, mbart me vete, idenë që proceset në këtë sistem, kanë ecur përgjithësisht në mënyrë të gabur. Nuk kemi patur garë. Nëse Sali Berisha po rikthehet, ndoshta ka idenë e një gare. Ne nuk e dimë se cfarë ai do të bëjë”, tha gazetari.
Lidhur me qëndrimin e Edi Ramës në raport me këtë çështje, Rakipi tha se kryeministri është në të drejtën e tij ta përdorë përçarjen në PD, për interesat e veta, siç do të bënte çdokush në vendin e tij.
“Përgjithësisht pushtetet shfrytëzojnë momentet, për ta patur kundërshtarin në gjirin e vet. Pushtetit i duhet shumë Luli Basha”, tha Rakipi.
Rakipi u shpreh se Kuvendi i sotëm, ishte një përpjekje e Berishës edhe për të demonstruar forcë dhe për t’ju treguar amerikanëve, se ai nuk është një “njeri i vetmuar”, por gëzon mbështetje në bazën e PD.
“Kjo është parti e Sali Berishës 100%.
Berisha kërkon t’ju tregojë edhe amerikanëve, që unë nuk jam njeriu i vetmuar dhe qyqar, por unë kam opozitën.
Për mua po e ka marrë partinë, sepse Sali Berisha ka me vete njerëzit”, deklaroi Rakipi.
KOHA JONË SONDAZH

