Home Forum Preç Zogaj: R...

Preç Zogaj: Radikalizmi i kompromentuar nga shpërdorimi

38
0

Preç Zogaj

Protestat dhe obstruksionizmi i deputetëve të grupit të Rithemelimit kundër bllokimit të komisioneve hetimore nga shumica socialiste kanë në sfond betejën e Sali Berishës me drejtësinë. Ngjarjet datojnë data të ndryshme. Por i lidh koincidenca. Në ndërthurjen dhe rrotullimin e tyre, ato ndërrojnë vendet. Si planet e një pasqyre konkave: protestat i nënvendosen betejës se kryetarit dhe anasjelltas.

Të jemi të qartë për disa gjëra:

Së pari, bllokimi i kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare përbën në thelb një shkelje të kushtetutës. Ka kohë që dispozita përkatëse (neni 72) dhe ligji organik për hetimin parlamentar e kanë lehtësuar nga bishtat të drejtën e 35 deputetëve për të ngritur një komision hetimor. Kushtetuta e thotë në mënyrë taksative : Kuvendi është i detyruar të ngrejë komisionin e kërkuar prej tyre. Përveç rasteve kur nga rrethanat gjykohet se kërkesa përmban elemente të shkeljes së Kushtetutës– ketë e thotë ligji organik. Nuk përjashtohet që një kërkesë të përmbajë elementë të tillë në rrethana të caktuara. Kjo duhet argumentuar thellë nga shumica kur vendos të refuzojë një të drejtë që ka lindur për t’i dhënë pushtet opozitës parlamentare në funksion të kontrollit prej saj të qeverise. Në rastin konkret, shumica duhet të tregojë qartë çfarë elementësh të shkeljes së kushtetues përmban kërkesa për hetimin e koncesioneve në shëndetësi? Refuzimi i shumicës gjithsesi nuk është përfundimtar. Opozita mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Siç edhe i është drejtuar për raste të tjera.

Këtu ka dalë një problem që e ka ndërlikuar sërish ngritjen e komisioneve hetimore, siç më duket mua. Në një vendim të tetorit të vitit të kaluar me numër 142 Gjykatës Kushtetuese nuk e ka legjitimuar si palë ankimuese një të pestën e deputetëve që kishin kërkuar shfuqizimin e rrëzimit nga Kuvendi të komisionit hetimor për investimet strategjike. Ajo gjykatë e ka konsideruar rrëzimin e kërkesës për ngritjen e komisionit “ mosmarrëveshje kompetence”. Ndaj nuk i takonte të merrej. Do të thotë, në rastin me të mirë me sa kuptoj unë, delegimin e zgjidhjes së konfliktit në një gjykatë tjetër të sistemit gjyqësor. Pa e specifikuar, kuptohet. Nuk mund të imagjinohet që “mosmarrëveshja e kompetencës” të mbetet e pagjykuar askund. Kjo do ta vendoste e të drejtën kushtetuese të opozitës për hetimit parlamentar në vartësi të dashjes, tekave dhe humoreve të shumicës. Pra do ta rrëzonte si të drejtë. Deputetët e opozitës duhet ta sqarojnë publikun mire e mirë si qëndron e vërteta në këtë rrafsh. Sqarimet e thjeshta e bindëse të mbështetura në ligjet e vendit, vlejnë më shumë e bëjnë më shumë punë se kakofonitë.

Së dyti, deputetët e një grupi, në rastin konkret ata të Rithemelimit, janë në të drejtën e tyre të aktivizojnë e përdorin edhe si casus belli po të duan një të drejtë të mohuar. S’ka rendësi është e freskët apo e vjetër.

Së treti, Sali Berisha është në të drejtën e tij të përdorë grupin e deputetëve dhe ndjekësit që e mbështesin për problemet që ka me SHBA dhe drejtësinë shqiptare. Kush mendon se tjetri do ta dorëzojë kokën në tepsi të argjendtë nuk jeton në këtë botë. Ndjekësit gjithashtu janë në të drejtën e tyre të protestojnë, në masën që të mos pengojnë procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij.

Së katërti, koincidencat janë politike. Nuk ndodh të mos jenë. Nga kjo pikëpamje as deputetët, as Berisha nuk kanë përse të kompensohen se nuk po protestojnë edhe kundër hetimit të Berishës. Ka plot deputetë aty që mendojnë se po u dënua Berisha, bie opozitarizmi. Posaqë e mendojnë kështu, edhe po të mos i kishin arsyet për t’ju bërë krah e për të krijuar situata inkandeshente, duhet t’i krijonin. Personalisht, pohoj prej kohësh se tërheqja e Berishës duke lejuar një proces gjithëpërfshirës riorganizimi dhe bashkimi të demokratëve rreth vlerave të historisë së tyre dhe garës së ndershme, i hap rrugën rrotacionit dhe fitores se opozitës-aspiratë e pamundësuar gjithnjë e më shumë nga beteja e sedrës së Berishës me partnerët strategjikë. Kush e mendon ndryshe le të vazhdojë ta mendojë. Por mendimet në këtë lëmë verifikohen si kaluese apo mbetëse nga realiteti elektoral aspak premtues për mbarë opozitarizmin. Sa i takon procesit gjyqësor, këtu nuk mund të këtë diversitet mendimi: Ai nuk mund të ndalohet. Obstruksionizmi parlamentar është tjetër gjë.

Së pesti, obstruksionimi është një formë e luftës politike jo e shpeshtë, gjithnjë e më e rrallë, që përqafohet nga grupe opozitare në vartësi të situatave që e përligjin. Kush e ka përdorur me efikasitet dhe më masë ka fituar diçka. Kush e ka shpërdoruar veç ka humbur, veç ka marrë damka. Fakti është se PD, me shumë pak përjashtime, e ka konsumuar pa sukses dhe me dëm për vete obstruksionizmi dhe radikalizmin. Me të njëjtën retorikë bombastiko-demonizuese të kundërshtarit politik ka djegur mandatet, bojkotuar zgjedhjet vendore të vitit 2019 dhe ndërmarrë valën e protestave deri me moltovë, në kufijtë e konsiderimit të saj si organizatë e dhunshme nga partneret perëndimore.

Çfarë ka fituar? Të gjithë e dinë tani. Asgjë. Qeverisja e Ramës ka dhënë e jep gjithnjë argumente për të karikuar retorikën dhe sjelljen opozitare. Por tani, në përsëritjen e saj kjo lojë është kuptuar. Radikalizmi këtu e ka patur dhe e ka me qitje të largët. Ndërkaq radikalizmi është kompromentuar nga shpërdorimi. Nuk ka ndezur kur PD ishte e madhe dhe dukej sikur e kishte barutin të thatë e jo më sot. Ky film është i vjetër. Ndryshojnë vetën figurantët. Por duhet të ndryshoje regjia, aktorët kryesorë, metodologjia, sjellja institucionale, kultura e komunikimit normal dhe një mori elementësh të tjerë që krijojnë empati dhe zgjojnë interesin e publikut të gjerë. Ajnashtajni e konsideronte çmenduri të presësh rezultate të ndryshme duke bërë të njëjtën gjë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit