Home Aktualitet Pse doli Fatj...

Pse doli Fatjon Murati nga burgu? Gjykata e Tiranës arsyeton vendimin

680
0

Gjykata e Tiranës ka bërë një sqarim për mediat lidhur me zbutjen e masës për Fatjon Muratin, në lokalin e të cilit u krye një atentat mbrëmjen e djeshme në zonën e “Don Boskos”, ku mbeti e vrarë një 58-vjeçare, e cila punonte si banakiere, ndërsa u plagosën 6 persona të tjerë.

Në sqarimin e shpërndarë për mediat, Gjykata e Tiranës bën me dije se, ky vendim me 16 janar 2023 ka marrë formë të prerë, dhe asnjëra prej palëve të përfshira në gjyq, nuk e ka ankimuar vendimin në ngarkim të Muratit.

Fatjon Muratit iu ndryshua masa e sigurisë në dhjetor të 2022, dy muaj pas arrestimit. Ai u arrestua tetorin e vitit të kaluar, pas zbulimit të një arsenali armësh në një apartament në zonën e Farkës, bashkë me shtetasin Kristjan Gjini.

Sqarimi i Gjykatës së Tiranës:

Referuar interesit të shfaqur mediatik, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:

1. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e arsyetuar, me numër 1575/1, datë 11.10.2022, pasi ka shqyrtuar kërkesën e prokurorit për “Vleftësimin e arrestit të kryer në flagrancë” si dhe “Caktim mase sigurimi”, ndaj personit nën hetim Fatjon Murati, ka vendosur: “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrance dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim Fatjon Murati.

2. Me vendimin Nr. 1575/2, datë 28.12.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë , Gjyqtari i hetimit paraprak, pasi ka shqyrtuar kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit caktuar ndaj personit nën hetim Fatjon Murati”, pasi ka administruar: provat shkresore (të dorëzuara nga palët), të gjitha rrethanat e reja, të ndryshuara, ka konstatuar ndryshimin/zbutjen e akuzës penale në ngarkim të këtij shtetasi, nga vepra penale e “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, në atë të parashikuar nga neni 278 paragrafi i 3-të i Kodit Penal (për të cilin parashikohet një marzh dënimi 1-3 vjet burgim), ka verifikuar të gjitha rezultatet në të cilat ka arritur hetimi paraprak, i cili ka rezultuar i përfunduar, të cilat në zbatim të nenit 260 të K. Pr. Penale, ndryshonin dhe zbutnin ndjeshëm pozitën proçedurale të këtij shtetasi, në kuadër të këtij procedimi penal, referuar të gjitha argumenteve ligjore, të pasqyruara në vendimin e arsyetuar, Gjykata ka vendosur: “Zëvendësimin e masës së sigurimit nga “Arrest në burg” në atë të “Arrestit në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit/ tashmë në cilësinë e të pandehurit Fatjon Murati.

3. Në datën 16.01.2023, ky vendim ka marrë formë të prerë, i pa-ankimuar nga asnjëra prej palëve ndërgjyqëse.

4. Në datën 17.01.2023, është depozituar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma Penale, kërkesa me objekt: “Dërgimin e çështjes në gjyq, për të pandehurin Fatjon Murati, i akuzuar për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i 3-të i Kodit Penal.

5. Në datën 20.01.2023, është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma Penale, kërkesa me objekt: “Dërgimin e çështjes në gjyq, për të pandehurin Fatjon Murati, i akuzuar për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i 3-të i Kodit Penal.

6. Në datën 27.02.2023, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjyqtari i seancës paraprake, ka disponuar me vendim për “Dërgimin e çështjes penale në gjyq”, në seance themeli, dhe vijimin e gjykimit të kësaj çështje, në kuadër të gjykimit me ritin e posaçëm, atë të Gjykimit të Shkurtuar. Aktualisht çështja penale vijon në gjykim.

• Bashkëngjitur këtij komunikimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendos në dispozicion kopjet e anonimizuara të vendimeve të sipër cituara (të disponuara në arkivën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë), në formatin PDF.

• Bazuar në nenet 103, 104, 105 të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i akteve (sekrete dhe jo sekrete), qoftë edhe i pjesshëm i tyre, deri në përfundimin e hetimeve paraprake, sikurse edhe i akteve të shqyrtimit gjyqësor kur gjykimi bëhet me dyer të mbyllura.

Koordinatore për të drejtën e informimit, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit