Home Bota Scholz, Macro...

Scholz, Macron e Meloni: Kosova ta bëjë Asociacionin, kurse Serbia njohjen de-facto

42
0

Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kanë kërkuar që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga ndërkombëtarët më 21 tetor dhe që Serbia të jetësojë njohjen de-facto.

“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”, thuhet në një letër publike nga tre liderët evropianë, të lëshuar të premten pasdite.

Në letër, duke komentuar takimet e së enjtes në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, liderët evropianë kanë thënë se mirëpresin angazhimin “e të dyja palëve”.

“Kemi marrë parasysh komentet e bëra nga të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë për statutin evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për zbatim. Draftstatuti që kemi prezantuar dhe e shtyjmë përpara plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për ta trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”, thuhet në letrën e publikuar në uebfaqen e Kancelarisë gjermane.

“Prandaj, edhe një herë nënvizojmë pritshmërinë tonë nga palët që t’i jetësojnë zotimet e tyre për zbatim të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit. Faza implementuese duhet të avancojë me të dyja palët që kryejnë detyrimet e tyre paralelisht në mënyrë që hap pas hapi, bazuar në parimin që të dyja palët të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi duhet të jetë tani në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes, pa parakushte apo vonesa”, thuhet në letër.

Në fund, tre liderët kanë theksuar se presin që Kosova e Serbia të pajtohen shpejt mbi hollësitë e dialogut e kanë shtuar se po që se ka mungesë të përparimit në normalizim të raporteve, “të dyja palët rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Bota

Më shumë nga Bota

Lajmet e Fundit

Te Fundit