Home KRYESORE Serbia rrit f...

Serbia rrit frikshëm fuqinë ushtarake me 740 milionë euro. Kundërpërgjigjet Kosova, blen pajisje nga SHBA

2831
0

Situata në Rajonin e Ballkanit Perëndimor mbart frikën e një konflikti të mundshëm mes Serbisë dhe Kosovës.

Serbia do t’i shpenzojë rreth 740 milionë euro vetëm këtë vit për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe armatim, tha të shtunën presidenti serb Aleksandar Vuçiç, në një konferencë për shtyp në Agjencinë për Siguri Ushtarake.

Lideri serb i bëri këto komente vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara e pranuan një kërkesë nga Kosova për blerjen e raketave antitanke Javelin, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan.

Departamenti i Shtetit te SHBA miratoi shitjen e mundshme të raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit, thuhet se Kosova ka kërkuar blerjen e 24 sistemeve dhe 246 raketave Javelin FGM-148F.

Në këtë shitje do të përfshihen gjithashtu edhe elementët logjistikë të stërvitjes dhe përdorimit të tyre dhe vlera e përgjithshme llogaritet të jetë 75 milionë dollarë.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

Tani kërkesa i shkon Kongresit amerikan që shqyrton shitjen e armëve për vendet e huaja.

“Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë të mbrojtjes së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial duke përmbushur nevojat e saj të mbrojtjes kombëtare”, thuhet në njoftimin e agjencisë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Sipas njoftimit, shitja e propozuar e sistemeve Javelin nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Zërin e Amerikës se kjo shitje “do të përmirësojë sigurinë e Kosovës dhe do të zhvillojë aftësitë e saj mbrojtëse dhe në bashkëpunim me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin bazë ushtarak në rajon dhe pa pasoja në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.

Forca e Sigurisë së Kosovës, konfirmoi të enjten në mbrëmje se qeveria e Kosovës ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për blerje ushtarake përmes programit FMS (Shitjet e Huaja Ushtarake).

Ne kuadër të këtij programi, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, “parashihen blerjet ushtarake duke përfshirë sistemin raketor antitank “Javelin” por dhe sisteme tjera te armatimit.

Për sistemin Javelin është dërguar kërkesa dhe për këtë blerje ministri (Ejup) Maqedonci ka diskutuar me Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara gjate vizitës së tij zyrtare. Sipas informacioneve publike që kemi marrë, kjo lëndë tashmë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv”, tha këshilltarja Gashi.

Më herët gjatë ditës ambasadori amerikan në Serbi, Chris Hill njoftoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se Shtetet e Bashkuara kishin pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketahedhës antitank Javelin.

Siç tha ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Prishtinës, Kongresit Amerikan, nga ku fillon procedura zyrtare.

Në një njoftim, presidenca serbe tha se presidenti Vuçiç shprehu “zhgënjimin e thellë” ndaj kësaj shitjeje të pritshme, por theksoi se se do të punojë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane.

“Për ne është me rëndësi që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për qëndrueshmërinë në Ballkan”, citohet të ketë thënë presidenti serb.

Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 5 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

Sistemet Javelin për Kosovën do të sigurohen përmes kompanive Lockheed Martin në Orlando të Floridës dhe Raytheon Missiles dhe Defense në Tukson të Arizonës.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit