Home Aktualitet Sot Dita e Dë...

Sot Dita e Dëshmorëve, nderohen të rënët në luftë për atdheun

16
0

5 Maji është një datë e rëndësishme historike për shqiptarët, pasi përkujtohen Dëshmorët e Kombit.

Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.

Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.

Në kohën e komunizmit, 5 Maji u bë traditë. Ishte ditë e shënuar! Tiparin dallues të kësaj dite e përbënin vizitat në varrezat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vizitat në familjet e dëshmorëve. U ndërtuan varreza dëshmorësh në çdo qendër rrethi. Shqipëria, përpos 26 të tillave që ishin në qendrat e rretheve, pati dy të tjera, krejt të veçanta e që u përkisnin dy fshatrave martire, Kuçit të Kurveleshit dhe Pezës së Tiranës. Ndërsa në këtë të fundit përuleshin e nderonin gjithë udhëheqja e partisë dhe shtetit, si në 5 maj, ashtu dhe në 16 shtator, ditën e Konferencës së Pezës, në Kuç, si rregull shkonin nxënësit e shkollës së fshatit dhe familjet e dëshmorëve.

Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar çdo vit. Edhe sot pritet të ketë homazhe në nder të tyre.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit