Agim Janku, “asi” i Partizanit që luante me proteza hekuri në gju

Nga Uvil Zajmi
Agim Janku. Më i vogli i familjes Janku. Të gjithë produkt i klubit Partizani. Mikel Janku, portier i Partizanit dhe i Kombëtares; Virgjil Janku ish-futbollist i Partizanit i viteve ’50-’60; Vladimir Janku, një tjetër sulmues i Partizanit në vitet ’80 dhe motra Tana, gjimnaste e këtij klubi. Agim Janku, një ndër talentet e rralla që ka parë futbolli shqiptar, një ndër futbollistët më të talentuar, model në të gjitha drejtimet. Karriera, dëmtimi, kontributi, ftesa e Dinamos, raportet me Resmen, Panon, Boriçin, dueli me Frashërin.

Çfarë bën sot Agim Janku, inxhinieri që e filloi karrierën me Skampën dhe e përfundoi me Sopotin e Librazhdit?

Fillimet: Nga Skampa, spartakiadat, largimi dhe rikthimi nga Haxhi Arbana…
Një karrierë e nisur jo në Tiranë. I vogël, tre muajt e verës i kalonte te gjyshja në Elbasan dhe si fëmijë luante në kampionatin e rrugicave të qytetit. Mjaftoi vetëm një çast që trajneri i njohur, Sabri Peqini, të veçonte talentin e tij dhe ta aktivizonte me ekipin Skampa të Elbasanit. Fillimi i viteve ’60-të do ta gjente Agim Jankun, ndonëse me trup të vogël, si titullar me ekipin e “Pallatit të Pionierëve” të Tiranës, pjesëmarrës në spartakiadat që zhvilloheshin te Plepat- Shkozet. Është anëtar i skuadrës ku kapiten është Agim Fagu, pastaj Llaq Konomi, Ramadan Shehu, Kujtim Hysenaj, Durim Hatibi, Adem Agovi, etj. Deri në vitin 1965. Pastaj një largim i papritur në heshtje. Por, Shkëndija e parë ngacmuese i vjen nga Haxhi Arbana. Në atë kohë Janku aktivizohej në kampionatin e shkollave të mesme. Ishte në vitin e parë te “Vasil Shanto” e ndeshjet luheshin në ishfushën sportive (mbrapa shkollës “Vasil Shanto” sot). Po në këtë fushë, trajneri i njohur Arbana stërviste ekipin e të rinjve të 17 Nëntorit. Ai spikat talentin e Agim Jankut dhe me Mikelin i dërgon fjalë dhe e fton të fillojë stërvitjen më të rinjtë e tij. Mirëpo Gimi, me dëshirën tashmë të zgjuar, vetëm pak javë më vonë me ndihmën e të vëllait Virgjil fillon stërvitjet me të rinjtë e Partizanit, ku trajner ishte Fadil Vogli. Pastaj kalimi me ekipin e të rinjve me trajner Bejkush Birçen, i cili do të ishte i pari por edhe i fundit trajner i tij.

Swiss Digital Desktop Reklama

Cili ishte Agim Janku?

Swiss Digital Mobile Reklama

Një futbollist i veçantë për kohën. Sulmues tipik i krahut të majtë, ndonëse nuk ishte mëngjarash. Vetëm një herë në karrierë do të luante sulmues i djathtë me numrin 7, një ndeshje që nuk do ta harrojë kurrë… Gjithmonë me numrin 11, një pozicion që e kishte zgjedhur vetë dhe jo të ishte diktat taktik i trajnerëve. Shumë i shpejtë, shumë i shkathët, mjaft inteligjent, driblues dhe shënues i aftë. Një karrierë e gjatë si kohë, por e shkurtër në fushë. E ndërpret karrierën në moshën dhe formën më të mirë, kur ishte vetëm 21 vjeç, pas një dëmtimi në gju. Vetëm tri sezone zyrtare të luajtura, mbi 20 gola me Partizanin dhe shtatë me ekipin kombëtar Shpresa. Një gol historik të shënuar me kokë ndaj Besës. Ka luajtur në krah të Panajot Panos, Sabah Bizit, duke qenë për çdo kundërshtar problem kryesor. Një mënyrë loje ” a l l a tornante” moderne për kohën, që të kujton shpesh Bruno Kontin e Italisë apo Roben të Bajernit, të cilët në shumë momente të lojës luajnë në krah të kundërt të këmbës së preferuar. Ndeshja e parë në karrierë, Partizani-Dinamo për Kupën e Gazetës, në shtator të vitit 1967 me trajner Resmen, kurse 90 minutat e fundit në Berat, viti 1979, kur Partizani shpallet kampion pas një goli vendimtar të realizuar nga Janku që i jep fitoren 3-2 ndaj Tomorit me trajner Birçen.

Raportet e vështira me Boriçin, Resmen dhe Birçen…
Pëlqehej nga Boriçi, por nuk luajti asnjëherë me ekipin kombëtar (vetëm një herë i grumbulluar me skuadrën olimpike), pasi dëmtimi nuk e la. Vazhdonte universitetin kur Boriçi drejtonte Partizanin. E kërkonte të ishte në grumbullimet tradicionale shumë javore, por Janku nuk kishte mundësi. Ky ishte “konflikti” i vetëm, por i vazhdueshëm, Janku- Boriçi. Dinamo kërkonte të përfitonte nga kjo situatë dhe Jankut i vjen një ofertë nga klubi dinamovit për të lënë Partizanin e për t’u transferuar atje. Edhe me Resmen, periudha e grumbullimit ishte pika e tensionit trajner-lojtar. Jemi në prag të takimit Partizani-17 Nëntori. Janku, i zhytur në provimet e vështira, mungon në stërvitje. Resmja nuk e aktivizon dhe Partizani humbet 2-0. Dëshpërim i madh. Pas një jave Partizani do të luajë me Dinamon ndeshjen e radhës në kampionat. Resmja nuk dëshiron të luajë pa Jankun dhe i lutet “që mund të mungojë në stërvitje, por të paktën të jetë i gatshëm për ndeshje”. Agim Janku luan, është më i miri në fushë dhe Partizani fiton 2-1. Por e veçanta e takimit nuk është kjo, por me Mikel e Agim Jankun. Për një sezon e gjysmë dy vëllezërit kanë qenë titullarë te Partizani. Njëri portier e tjetri sulmues. Pikërisht në ndeshjen me Dinamon, Mikel Janku pëson një gol që i dëshpëroi të gjithë. Topi është vënë në qendër të fushës dhe Agim Janku, pasi ka dribluar disa kundërshtarë, është vënë përballë Jani Ramës. Por një ndërhyrje nga mbrapa e ka detyruar arbitrin Ramazan Kuka të japë 11-metërsh, falë të cilit Pano barazon rezultatin. Për Agim Jankun ky gol ishte edhe një “hakmarrje” familjare. Me Bejkush Birçen ka momentin e fundit të karrierës: I vendosur që të mos luajë më, e takon Birçen në klubin Partizani bashkë me trajnerin Andon Kona. I thotë për vendimin e marrë dhe se nuk do të udhëtojë në Gllazgou ndaj Sëlltikut. I kërkon një cigare (e kishte lënë prej kohësh) dhe i dorëzon ato pak materiale sportive që i kishin mbetur. Dhe duke tymosur kuturu, fikson largimin zyrtar pa kthim mbrapa. Është shtator i vitit 1979!

Janku- Frashëri, sfida mes sfidave

Ka qenë dhe mbetet një ndër sfidat midis sfidave, një ndër duelet sportive më historike të futbollit shqiptar. Shpeshherë derbi 17 Nëntori-Partizani ndiqej jo vetëm për rivalitetin sportiv të hershëm, por edhe për atë që ofronte sfida Janku- Frashëri. Dy futbollistë model, dy futbollistë shumë popullorë, dy futbollistë që dhuronin emocion, spektakël, lojë korrekte. Asnjëherë në asnjë çast të kësaj sfide nuk pati triumfues apo humbës, në çdo përplasje nuk preferuan “mposhtjen” e kundërshtarit, përkundrazi e ruanin njëri-tjetrin në çdo detaj. Janku teknik, ndërsa Frashëri shumë pozicional. Vlera të mëdha sportive e qytetare ishin ato çfarë i ofruan tifozerisë këta futbollistë, konsiderata që edhe sot ruhen midis tyre, por edhe nga sportdashësit. Të dy ishin dhe mbetën protagonistë unikë e klasikë për futbollin kombëtar. Por, jo vetëm kaq. Edhe përballjet me Gëzim Kasmin apo Mihal Gjikën janë të paharruara. Futbollistë të fortë fizikisht e që nuk dribloheshin lehtë.

Dëmtimi, fanella me numrin 7 dhe 20 sekondat fatale…

Ka qenë dhe mbetet momenti më dramatik, më i paharruar dhe më i trishtueshëm i karrierës sportive të Agim Jankut. Dhjetor 1971. Në Lushnje luan Traktori me Partizanin, ndeshja e fundit e fazës së parë. Bejkush Birçe e vendos Agim Jankun në krahun e djathtë, për herë të parë, duke zëvendësuar Ballukun, ndërsa në të majtë luan Shaqiri. Për Jankun është e para dhe e fundit ndeshje që luan me numrin 7 në fanellë dhe në krahun e djathtë. Mbrojtja lushnjare ka raste që ndërhyn rëndë ndaj tij. Janku është në kulmin e formës dhe çdo mbrojtës është në alarm kur ai luan me topin. Shënon edhe golin e dytë për Partizanin, që fiton 3-1. Por do të vijë minuta e fundit e pjesës së parë. Teksa kishin mbetur edhe 20 sekonda gjer në përfundim të saj, një ndërhyrje e rëndë nga një mbrojtës e dëmton në gjurin e majtë. Ali Kastrati dhe mjeku Ismail Feta japin ndihmën m a k s i m a l e mjekësore, por situata është tejet dramatike. Arbitri shkodran Tahir Kalaci e shikon me keqardhje gjendjen e rëndë dhe e këshillon të lërë fushën e lojës. Gjuri ka pësuar një krisje, e cila do ta shoqërojë dhe do t’i kushtëzojë gjithë karrierën. Një vizitë e shpejtë në spitalin e Lushnjës pas ndeshjes dhe kthimit në shtëpi. Mjekimi më i shpejtë dhe më popullor ishte ai me akull.

Kalvari i ndërhyrjeve kirurgjikale…

Edhe sot ky lloj dëmtimi konsiderohet i rëndë për një futbollist, por për mjekësinë sportive nuk është problem. I tillë ishte dëmtimi në gju i Del Pieros, i cili pas nëntë muajve u rikthye në fushën e lojës dhe për shumë vite ishte protagonist, madje u shpall edhe kampion bote me Italinë e sot vazhdon të luajë në Australi. Ndërsa Agim Janku e vuan ende sot dëmtimin e 5 dhjetorit të vitit 1971. Prej vitesh ka në këmbë vetëm hekura e proteza. Nga këshilla e parë e mjekut ortoped Pëllumb Karagjozi, te ndërhyrja e parë kirurgjikale në Rumani; nga profesori i shquar polak Deniski (që kishte operuar edhe Zhegën e Ylli Lenon), një histori e pafundme. Gusht i vitit 1972, Ministria e Mbrojtjes e dërgon në Rumani. 25 ditë në spitalin e Bukureshtit dhe mjeku Deniski pas përfundimit të ndërhyrjes i jep në një zarf si dhuratë meniskun e hequr. Por, gjuri ka sërish probleme. Sërish në Rumani pas një viti me ekipin Shpresa, por jo për të luajtur. Përsëri te Deniski, i cili konstaton dëmtimin serioz dhe mbështet diagnozën e përcaktuar privatisht nga mjekut shqiptar Karagjozi, por i mungon informacioni mjekësor zyrtar dhe nuk ndërhyn. Një tjetër udhëtim i gjatë tremujor me Partizanin në Kinë, por edhe mjekësia kineze nuk konkretizon. Këshillon vetëm kura. Dëshpërimi është i madh, madje Janku ka filluar të pijë edhe cigare. Në shtator-tetor 1975 caktohet të bëjë stazhin pasuniversitar në Metalurgjikun e Elbasanit, por nuk shkon pasi në këtë periudhë operohet në Tiranë nga prof. Pëllumb Karagjozi, që i vendos dy hekura në gju duke tentuar t’i bëjë transplantin e parë të këtij lloji. Dhe ndërhyrja e fundit dy vjet më parë: I vendosin protezë në gju, duke i hequr dy hekurat që i mbajti për më shumë se 35 vjet (I ruan si kujtim në një enë të vogël plastike). Rikthimi i vështirë Nga dëmtimi i parë i dhjetorit të vitit 1971 deri në maj të vitit 1975, Agim Jankun e gjejmë duke u endur spitaleve. Vazhdon universitetin, vetëm pak stërvitje, por me dëshirën e madhe për t’u rikthyer. Në Lezhë, Partizani luan kundër Besëlidhjes. Trajneri Ilia Shuke e aktivizon që në fillim të takimit. Në një aksion në pjesën e dytë, ndërsa ka dribluar tenton të krosojë, por krejt papritur shtrihet nga një dhimbje në gjurin kronik. Sërish dëmtim, një tjetër etapë vuajtjesh. Transferimi në Librazhd Viti 1977. Agim Janku ka përfunduar studimet dhe ka marrë diplomën si inxhinier mekanik. Transferohet në Librazhd. Nuk dëshiron të luajë, por kërkesa e drejtuesve të klubit të Sopotit e prek në sedër. Skuadra ndodhet në vendin e parafundit me 2 pikë në grupin e jugut. E kërkojnë për të luajtur, jo të punojë si inxhinier. Do të luhet faza e dytë. Në shtatë takime, Sopoti arrin të marrë 10 pikë dhe shpëton nga rënia në Kategorinë e Tretë. Kontributi i Jankut është shumë i madh. Vazhdon të luajë deri në dhjetorin e atij viti në Librazhd, ndërsa në janar të 1978 transferohet në Tiranë. I kishte menduar si fundin e karrierës ndeshjet me Sopotin, por jo. Birçe e kërkon të jetë te Partizani. Luan fazën e dytë, por në sezonin 1978-79, luan si titullar në 25 nga 26 ndeshje të kampionatit. Është protagonist i fitores së titullit kampion. Pastaj, largimi. Një largim pa kthim. Nuk dëshiron të jetë trajner, edhe pse ka oferta. I emëruar inxhinier në Institutin e Projektimeve, luan vetëm në kampionatin e futbollit të institucioneve.

Çfarë bën sot Agim Janku?

Sot Agim Jankun, 64-vjeçar, e takojmë teksa ka një jetë normale, por gjithmonë i shqetësuar nga dhimbjet që i japin dëmtimet, ndërhyrjet kirurgjikale. Pas viteve `90-të punoi në INSIG. Një tifoz i Partizanit, drejtori i INSIGut, Qemal Disha, dhe miku i tij, Besnik Pëllumbi (ishbasketbollist i Partizanit, i cili nuk jeton më), i siguruan një vend pune në këtë institucion. I pamartuar, jo alkool, jo cigare, i sjellshëm, nuk dëshiron të shkruhet e të flitet për të. Asnjëherë në ekran, jo intervistave, shumë modest. Ruan miqësitë me të gjithë, por më shumë mik ka Gjergji Thakën. Ka një peng të madh në jetë: Nuk e ka parë golin e Panos në ndeshjen finale ndaj Dinamos në vitin 1961. Ishte në stadium, por zemra i rrihte fort dhe kishte shumë emocion. Pas pjesës së parë e la stadiumin dhe shkoi në shtëpi, që e kishte përballë stadiumit “Dinamo”. Ishte aq i emocionuar, sa nuk mund të dëgjonte as radio, por priste me ankth përfundimin e ndeshjes. Në një moment ishte motra e tij Tana ajo që bërtiti: “Gimi, Partizani fitoi dhe Pano shënoi golin e fitores!”. As që i kishte shkuar ndërmend se një ditë do luante përkrah legjendës Pano. Nuk shkon në stadium, por vazhdon të jetë tifoz i Partizanit, Interit dhe Brazilit. Pëlqen lojtarët që shquhen për teknikë të lartë. Nga karriera nuk ka trashëguar asnjë kujtim. Ka shumë miq, të gjithë e duan dhe e nderojnë. I pëlqen muzika. Këngët e Mino Rejtanos e emocionojnë akoma edhe sot. Tenisti Federer është ndër sportistët që admiron, por hobi i tij i vërtetë është gjeografia dhe politika ndërkombëtare për të cilat flet me pasion. Sot, një kafe me Agim Jankun të jep kënaqësi të veçantë, pasi është po ai, i cili na dha aq shumë emocion, futboll të bukur, korrekt e spektakolar dhe që me nostalgji e kujtojmë dhe rikujtojmë…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?