Alda Beqo, fanatiksja bardheblu “provokon” Partizanin
Alda Beqo është njëra ndër vajzat e rralla që kanë një simpati dhe interes të madh për futbollin në botë dhe atë vendës. 24-vjeçarja ka një dashuri të madhe për këtë sport, duke veçuar skuadrat e saj të preferuara, Barcelona dhe Brazili, por jo vetëm. Alda njihet si tifoze e zjarrtë e Tiranës, siç ajo thotë “Jom fanatikse”.
Alda, jeni njëra ndër tifozet më të zjarrta të Tiranës? Si lindi dashuria për këtë ekip?
Më kanë cilësuar si të tillë dhe e respektoj, pasi kjo është e vërteta (qesh). Jam njëra ndër tifozet më të zjarrta të “Tirona Fanatiks”. Dashuria? Natyrshëm, jam gocë Tirone dhe besoj se është më se normale.
Sa shpesh e mbështesni ekipin tuaj në stadium?
Sigurisht, e ndjek sa herë që mundem. Më penalizon paksa shkolla. Për shkak të detyrimeve ndaj saj e kam të vështirë t’i ndjek në çdo sfidë bardheblutë, sidomos në transferta. Megjithatë, edhe kur e kam të pamundur që të jem në stadium, e ndjek nga televizioni. A e “urren” Alda Partizanin si çdo fanatiks? Pa pikë dyshimi. I urrej “demat”, si çdo fanatiks.
Cila është ndeshja më e mirë e Tiranës?
Me Apollon Limassolin, në 2001-in në mos gaboj. Mendoj se ka qenë ndeshja më e mirë e Fortuzit. Deri nga minuta 50 e pjesës së dytë 0- 2 për qipriotët. Si përfundim, për gjysmë ore, nga 0-2 e kthyem rezultatin në 3-2, dy gola “Zogu” dhe një asist për Kenesein për golin e tretë. Ndeshje shumë emocionuese.
Po më e keqja?
Derbi me Partizanin. Edhe pse kemi luajtur mjaft mirë, gabimi trashanik i Frashërit na dënoi. Humbje e rëndë, e cila na ka nervozuar dhe mërzitur shumë…
Cilin prej lojtarëve mund të veçoni te bardheblutë?
Elis Bakaj dhe Mario Morinën (zogu…).
E ndiqni ekipin në stadium?
Po, patjetër që do ta ndjek. Tirana është në garë për titullin, por i duhet të mos gabojë më. Besoni se mund t’ia dalë? Besoj shumë te skuadra e zemrës sime. U bëj thirrje djemve të luajnë me zemër, nuk duhet të gabojmë më. Gjithsesi, Tirona mbetet kampione e Shqipërisë, të gjithë i përulen “Noltmadhnisë”.
Po në Kupë ?
50 me 50… s’jam e sigurt.
Si reagoni kur dëgjoni fjalor banal në stadium?
Më kapët pak ngushtë, pasi ky fjalor “shpërthen” në momente nervozizmi. Por, nuk duhet të akuzojmë vetëm tifozët meshkuj. Edhe unë ndonjëherë shaj kur jam në stadium. Më vjen ashtu natyrshëm dhe s’besoj se jam e vetmja femër (qesh). Në fund të fundit, kudo në botë përdoret e dëgjohet fjalori banal. Ndaj, nuk më bën aspak përshtypje.
Ju pëlqen ndonjëri nga futbollistët si partner?
Nuk kam koment… Simpatia mbetet vetëm për brenda fushës. Simpati dhe dashuri plot, por brenda fushës (qesh).
Cilin nga lojtarët e Tiranës do të donit të shikonit në Kombëtare?
Pse jo Morinën. Ia vlen në çdo lloj aspekti.
Ndonjë koment apo mesazh të fundit për tifozët dhe lojtarët e Tiranës?
Tirona ishim Tirona mbetëm, ju rrasim golin ju shkundim rrjetën. Uroj që të shpallemi kampionë!
Intervistoi: Eva Marku
KOHA JONË SONDAZH

