Argjentina ngadhënjen me “dorën e Zotit” të Maradonës (1986)
Botërori i 13-të duhej të zhvillohej në Kolumbi. Por ajo u tërhoq për “halle familjare”. Këtë rast e shfrytëzuan meksikanët. Ia kishin marrë dorën me Botërorin e vitit 1970. Po ato stadiume, tani, me disa lustrime edhe më të bukura, midis të cilëve si margaritar shkëlqente “Azteka”, mbi shpatullat e së cilës mund të rrinin rehat 115 mijë shikues. Pas trazirash politike, një fllad i paqtë po frynte mbi botë, sidomos në Lindje, ku Gorbaçovi, me “perestrojkën” dhe “gllasnostin”, po thyente muret që kishin qenë ngritur midis Lindjes dhe Perëndimit.
Sikur të ishte shtyrë nga këto ngjarje, edhe në Shqipëri, pasi Enver Hoxha një vit më parë na “kishte lënë… shëndetnë”, diçka kishte nisur të lëvizte. Edhe në RTVSH, ku programet zunë të çliroheshin nga pesha e rëndë e censurës. Në këto rrethana edhe unë u thirra më së fundi një ditë nga njëri prej drejtuesve kryesorë, i cili më tha se, meqë sporti në TV nuk shkonte mbarë, dhe kjo për shkak të punës së dobët të ”kryekomentatorit”, që e kam përmendur më parë, unë duhej të vija të punoja atje. E falënderova, por pranova të jem bashkëpunëtor i jashtëm, sepse në TVSH, për shkak të ngarkesës së punës, humbisja 6 muaj leje krijuese që më jepte Partia çdo vit, si dhe orarin e shkurtuar në 4 orë, të cilat, doja s’doja, si çdo shkrimtar tjetër, do t’i shfrytëzoja për të shkruar vepra “që na frymëzonte jeta e lumtur” që kalonim. Pra, do të drejtoja “Rubrikën sportive”, të komentoja ndeshjet e futbollit dhe, doemos, të botërorëve, të cilat kishin nisur, siç kam shkruar, më 1972, me propozimin tim dhe miratimin e Todi Lubonjës, ish-drejtor i RTVSH-së, që kishte 13 vjet që dergjej në burg si armik i Enver Hoxhës, ngaqë kishte organizuar një festival kënge (!?).
Por e vërteta është se, ndonëse për “kryekomentatorin” kishte ankesa nga lart se ishte “i ngathët dhe i ftohtë”, mbeta hije pas tij, sepse përsëri ishte ai që merrte “pjesën e luanit”, pra që bënte komentet e ndeshjeve më të rëndësishme, duke qenë kështu prapëseprapë… “kryekomentator”. Por kjo ndodhte sepse unë jo rrallë i vija në siklet komitetqendrorasit, të cilët bënin ç’bënin, telefononin, sidomos kur gjatë Botërorit 1986 unë përdora figura letrare, si për shembull: “Maradona, me këtë arratisje nga krahu i majtë, kalon kufirin e mbrojtjes kundërshtare…”. Kjo shprehje u vrau kaq shumë veshin atyre, sa një nga drejtuesit e TV-së më thirri urgjentisht dhe m’u lut që të frenoja gjuhën, se kjo shprehje ishte me zarar dhe, jallah, ndillte ndonjë që kishte ndërmend të kapërcente njëmend kufirin.

U zgjata, por më duket se edhe lexuesi do të qeshë me vete duke lexuar këto radhë. Por qyfyre të tjera i kam ruajtur për më pas.
Edhe ky botëror u pagëzua me formulën e Botërorit ’82, por me të vetmin ndryshim, se të 12 finalisteve u shtoheshin edhe katër skuadra me rezultatet më të mira në grupet e tyre, të cilat ndesheshin me sistem mënjanimi të drejtpërdrejtë, pra ashtu siç ishte vepruar deri në Botërorin 1978, kur në fazën finale të tij merrnin pjesë 16 skuadra.
Në qoftë se gjatë bisedës rreth botërorit në Spanjë të katër viteve të shkuara Martellini më foli thuajse gjatë tërë kohës gazmorisht, kjo nuk ndodhi më pas, kur më shpjegoi ngjarje që lidheshin me Botërorin Meksikan. Ç’është e vërteta, zërin e tij e dëgjova vetëm në ndeshjet në grupin ku, veç Italisë, bënin pjesë Bullgaria (1-1), Argjentina (1-1) dhe Koreja e Jugut (3-2). Në këto ndeshje “axurrët” nuk shkëlqyen, sidomos në ndeshjen me liliputët koreanë që me shkathtësi u shqiteshin atyre nga sytë, duke u sjellë ndërmend jo pa tmerr dramën e Italisë ’66 në Angli, ku këtë radhë koreano-veriorët u kishin mbyllur derën e çerekfinaleve.
“Kjo Itali ishte e mplakur, – më shpjegoi Martellini. – Gjysma e tyre njëmend ishin kampionë të botës, por pa vezullim. Madje Rossi legjendar dhe Tardelli ndenjën gjatë tërë ndeshjeve në stolin e rezervave. Bearzoti, pas dështimit në Europianin e vitit 1984 që në grup, duhej të kishte bërë freskim të skuadrës, e cila u fundos në tetëshe nga skuadra e Francës, me gola të Platinisë dhe Stopyrasë, dhe u kthye pa lavdi në atdhe. Bashkë me të edhe unë. Por për një arsye tjetër: pata një infeksion në zorrë. Vendin tim e zuri Bruno Pizzul, që do të tregonte se ishte me të vërtetë një trashëgimtar i shkollës së Nicolò Carosio-s që kisha ndjekur edhe unë. Meqë kisha kaluar 65 vjetët, u tërova në pension duke u aktivizuar në takime që transmetoheshin nga stacionet e Fininvest-it në radio dhe TV.”
I kujtova se e kisha ndjekur dramën e tij dhe të “axurrëve” nga programet e RAI-t dhe madje kisha mësuar që ai kishte botuar edhe librin me temë sportive “Nga Meksika në Meksikë”.
“Edhe ky libër, ashtu si vetë skuadra ‘axurra’, nuk pati sukses”, – më tha çiltërisht Martellini.
Vazhdojmë rrugëtimin e këtij botërori. Danimarka e Michael Laudrup-it pritej të ishte ylli i tij. Pas një interpretimi “me xhiro të ngadalshme” në takimin e parë kundër Skocisë (1-0), ajo u dha një mësim shembullor uruguaianëve (6-1) dhe gjermanoperëndimorëve (2-0), duke dëshmuar se do të arrinte në aktin final të këtij filmi, ku do të luante rolin e parë.
Por ndodhi çudia. Pas golit të parë të Olsenit në minutën e 39-të, me 11-metërsh, kundër Spanjës, gabimi naiv i një mbrojtësi solli që Butragueño në të 43’-të, në të 56’-të, pastaj Goikoetxea në të 68’-të (me penallti) e përsëri Butragueño në të 80’-të e 88’-të, ta zhbëjnë këtë premtim mrekullues të këtij botërori, me rezultatin 5-1. Në këtë ndeshje katër gola u shënuan nga ky i fundit, që u mbiquajt “vrasësi i madh”. Kështu ndodh kur mbushesh me delirin e madhështisë!..
Në ndeshjet e raundit të dytë, Meksika i lau shpejt hesapet me Bullgarinë 2-0, Belgjikës iu desh shtesë loje të mundte Bashkimin Sovjetik 4-3, Brazili bëri shëtitje turistike duke mënjanuar Poloninë 4-0 dhe duke marrë hak për humbjen e botërorit të vitit 1974, kur Latoja i kishte ndëshkuar me një gol të rrallë. Maradona me shokë gjithashtu nuk djersitën shumë për t’i dërguar uruguaianët në aeroport (1-0), duke u kujtuar se fitorja e tyre në finalen e parë të vitit 1930 në Montevideo ishte vetëm një ëndërr që nuk përsëritej më për ta.
Edhe anglezi Lineker me shokë u thanë paraguaianëve “good bye”, madje me shifrat tingëlluese 3-0.
Vijmë kështu te ndeshjet çerekfinale, ku u bë shumë zhurmë për golin e Maradonës në takimin Argjentinë-Angli, gol që u shënua me dorë. Portieri anglez, Shilton, deklaroi plot mllef atë që tërë bota e pa në ekranet e TV-së, pra se gjatë kërcimit Maradona me dhelpëri e kishte goditur topin me dorë. “Ai e vodhi golin”, – pata lexuar atëherë në shtypin e huaj. Po këto fjalë ai më përsëriti mua dhe dy gazetarëve të tjerë shqiptarë në hotel “Tirana”, pas ndeshjes Shqipëri-Angli (mars 1989), për eliminatoret e Botërorit që do të zhvillohej një vit më pas në Itali.
Por, si për të shlyer këtë “faj”, po ky Maradonë, me një shkëputje nga 60 metra, pasi ua hodhi katër mbrojtësve tuafë anglezë që nuk dinin nga t’ia mbanin, shënoi një gol legjendar. Për vite me radhë Maradona deklaroi se goli ishte shënuar me ndihmën e dorës së perëndisë. Vetëm vitet e fundit e pohoi të vërtetën.
“Për mua, një kampion i madh si ai nuk duhej kurrë të vepronte kështu”, – më tha atëherë Martellini. “Edhe unë ashtu mendoj”, – iu përgjigja. Madje, edhe sikur të kisha pasur rast ta intervistoja, jo pa i mbajtur qëndrim, do t’ia vija në dukje këtë njollë që ai ende e mban në kurriz, pavarësisht se atij, ndoshta, nuk do t’i bënte përshtypje. (Se mos i krijoi këtë ndjenjë francezit Thierry Henry goli me dorë që i dha mundësi Francës të luajë në Botërorin 2010!…).

Por gjatë zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndodhi diçka me të vërtetë e habitshme. Shumë larg Meksikës, në një postë kufitare andej nga Librazhdi, ndodhi një ngjarje që një mesoburrë ma ka treguar tek po ktheheshim në qershor të vitit 2002 me avion nga Bostoni për në Shqipëri.
“Atë ditë, – më shpjegoi ai kur bëmë pushim në Cyrih, – me një shok tjetër nisëm të vinim në jetë planin që kishim ndërmend – të arratiseshim. Ishim ushtarë të këtij reparti. Dhe shfrytëzuam rastin që të largoheshim në kohën kur po zhvillohej kjo ndeshje dhe kur thuajse të tërë, ushtarë dhe oficerë, po e ndiqnin atë. Ia mbathëm bashkë me kallashnikovët, sepse kishim vendosur që, në rast se binim në pritë, të luftonim. Por nuk u pikasëm.
Kur ra mbrëmja, duke u zvarritur, arritëm të kalonim kufirin. Çuditërisht me lehtësi. U futëm thellë dhe, kur vumë re një kasolle, u futëm brenda. Ç’të shihnim! Ushtarët jugosllavë, ashtu si ushtarët shqiptarë të postës sonë kufitare, ishin rehatuar për shtatë palë qejfe dhe po shihnin një ndeshje tjetër të botërorit që nuk e mbaj mend. Ata u llahtarisën kur na panë, aq më tepër me kallashnikovë në duar, dhe duke brofur në këmbë, ngritën duart lart! Vetëm kur u thamë se kush ishim, e mblodhën veten. Pas disa javësh, si u siguruan se çfarë qëllimi kishim, autoritetet jugosllave na përcollën në Beograd dhe që atje, me ndihmën e Ambasadës Amerikane, u nisëm për në SHBA”.
Kur ia tregova këtë histori Martellini-t, sa nuk u shqye gazit. “Përse nuk i shkruan këto?”, – më tha. Dhe ja unë, pas kaq vjetësh, po ua blatoj me dëshirë lexuesve.
Në çerekfinalet e tjera, tri prej tyre përfunduan jo vetëm met shtesë, por edhe me 11-metërsha, dukuri që nuk kishte bërë vaki në asnjë botëror deri atëherë.

Gjysmëfinalet nuk patën historinë e çerekfinaleve maratonike, siç tregohet në tabelën e mëposhtme të rezultateve. Gjermanoperëndimorët nuk u dhanë francezëve të Platinisë asnjë shans që të zhvillonin një shtesë, si në gjysmëfinalen spanjolle të katër viteve të shkuara, ku fituan me 11-metërsha 5-4 (pas barazimit 3-3). Këtë radhë “Sturm und Drang”-u i tyre mbizotëroi në fushë duke i përcjellë kundërshtarët mit trokëllimën e dy golave. Si të ndiqte shembullin e tyre, Maradona me shokë përsëritën të njëjtat shifra me Belgjikën, që nga ana e saj mbeti e kënaqur që kishte arritur në këtë cak, për herë të parë në vjetarët e futbollit të këtij vendi.
Arrijmë kështu në finale. U duk se sëmundja e shtesës që kishte infektuar katër ndeshjet e çerekfinaleve do të shfaqej edhe në ndeshjen përmbyllëse, Argjentinë – RF Gjermane, sepse pas golave të Brown-it në 22’ dhe të Valdano-s në 56’, së pari Rummenigge në 74’ dhe pastaj Völler në 81’ e kthyen takimin në barazpeshë. Dhe, kur mendohej se do të vinte shtesa, Burruchaga pas tri minutash, me një shkëputje nga e djathta, përhapi në stadium dhe në tërë botën tingujt e tangos argjentinase, që ngadhënjente për të dytën herë.
Pas këtij botërori nuk u ftova të drejtoj më “Rubrikën sportive”, ku kishin zënë vend edhe biseda me specialistë, të ilustruara me pamje nga ndeshjet e tij, dhe nga viti 1988 nuk komentova më ndeshje ndërkombëtare futbolli. Arsyen do ta shpjegoj në pjesët e tjera të këtij cikli.
Rezultatet e fazës finale
1/8 e finaleve
- Meksikë – Bullgari 2-0
- Belgjikë – B. Sovjetik 4-3 (me shtesë loje)
- Brazil – Poloni 4-0
- Argjentinë – Uruguai 1-0
- Francë – Itali 2-0
- RF Gjermane – Marok 1-0
- Angli – Paraguai 3-0
- Spanjë – Danimarkë 5-1
Çerekfinalet
- Francë – Brazil 1-1 (me shtesë, 4-3 me 11-metërsha)
- RF Gjermane – Meksikë 0-0 (me shtesë, 4-1 me 11-metërsha)
- Argjentinë – Angli 2-1
- Belgjikë – Spanjë 1-1 (me shtesë, 5-4 me 11-metërsha)
Gjysmëfinalet
- RF Gjermane – Francë 2-0
- Argjentinë – Belgjikë 2-0
Finale për vendin e 3-të
- Francë – Belgjikë 4-2 (me shtesë loje)
Finale
- Argjentinë – RF Gjermane 3-2
Argjentina: Pumpido, Cuciuffo, Olarticoechea, Batista, Ruggeri, Brown, Burruchaga (89’ Trobbiani), Giusti, Enrique, Maradona, Valdano.
RF Gjermane: Schumacher, Berthold, Förster, Brehme, Briegel, Eder, Matthäus, Magath (Hoeneß 61’), Jakobs, Rummenigge, Allofs.
Golashënuesi më i mirë: Lineker (Angli) – 6 gola.
Nga galeria e yjeve: Maradona (Argjentinë), Platini (Francë), Lineker (Angli), Butragueño (Spanjë), Laudrup (Danimarkë).

KOHA JONË SONDAZH

