Arrihet marrëveshja, Luftëtari akord me mbrojtësin e Flamurtarit
Lejdi Liçaj është një hap larg rikthimit te Luftëtari. Pas pjesës së parë të sezonit te skuadra e vendlindjes, Flamurtari, duket se vlonjati ka pranuar ofertën e presidentit Grigor Tavo për të luajtur sërish në Gjirokastër. Mbrojtësi i krahut të djathtë, i cili mund të përshtatet edhe në pozicione të tjera, ka bërë një kampionat të shkëlqyer me Luftëtarin në sezonin e kaluar.
Tashmë, duke qenë se reparti i prapavijës ka pak alternativa dhe për më tepër është larguar edhe lojtari i krahut të djathtë, Bruno Toledo, rikthimi i Liçajt është në kohën dhe vendin e duhur. Dihen cilësitë e vlonjatit, për më tepër që nuk ka nevojë fare për përshtatjen te Luftëtari, pasi vetëm 5 muaj ka larg tij. Lajmin për rikthimin e Liçajt e kanë konfirmuar edhe drejtuesit gjirokastritë, që tashmë presin të marrin OK-in e Flamurtarit, pasi 30-vjeçari është nën kontratë me klubin vlonjat.
Në parim, palët kanë arritur marrëveshjen dhe tashmë mbetet të hidhet vetëm firma. “Po, është e vërtetë që Liçaj pritet t’i bashkohet skuadrës. Ai e njeh mirë lojën e Luftëtarit dhe do të na ndihmonte shumë në mbrojtje”, ka thënë dje për gazetën trajneri Hasan Lika. Kështu, Liçaj pritet të zyrtarizohet si përforcimi i dytë i Luftëtarit në merkaton e janarit, pasi më parë gjirokastritët kanë siguruar shërbimet e sulmuesit Vasil Shkurtaj, që do të federohet për pjesën e mbetur të sezonit duke fuqizuar së tepërmi repartin ofensiv.
/panorama
KOHA JONË SONDAZH

