Arsenali e la jashtë listës në Premier League, reagon Ozil: Jam i zhgënjyer!

Merr 350 mijë stërlina në javë, por skuadra e Arsenalit e ka përjashtuar Mesut Ozilin nga lista e të federuarve për sezonin e ri në Premier League. 32-vjeçari nuk do të luajë asnjë ndeshje për “Topçinjtë” në këtë sezon. Një vendim i rëndë nga trajneri Mikel Arteta që ka zhgënjyer jo pak futbollistin turko-gjerman.

“Jam shumë i zhgënjyer për faktin që nuk jam regjistruar në Premier League. Pas nënshkrimit të kontratës sime të re në vitin 2018, i premtova besnikëri klubit që dua, Arsenalit dhe më trishton që besnikëria nuk është e ndërsjellë. Nga java në javë, përpiqesha të mendoja se ekzistonte mundësia e kthimit në ekip dhe për këtë arsye kam qëndruar i heshtur.

Para bllokimit për shkak të pandemisë isha i lumtur me ardhjen e trajnerit të ri Mikel Arteta, kisha ndjesi pozitive dhe paraqitjet e mia ishin me të vërtetë pozitive. Pastaj gjërat ndryshuan, përsëri, dhe unë nuk u lejova më të luaja futboll për Arsenalin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Këtu, në Londër, ndihem gjithmonë si në shtëpi, kam shumë miq të mirë në këtë ekip dhe ende ndiej një lidhje të fortë me tifozët e këtij klubi. Unë do të vazhdoj të jem pjesë e këtij klubi, pavarësisht kësaj që ka ndodhur. Do të luftoj për shansin tim dhe nuk do të lejoj që sezoni im i tetë tek Arsenali të përfundojë kështu. Atje ku do të jetë e mundur do ta ngre zërin kundër padrejtësive”, deklaroi Ozil.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?