Babai i Valon Berhamit: Ma larguan djalin në mënyrë jonjerëzore , urdhri erdhi nga …
Valon Behrami me një telefonatë të vetme u njoftua se nuk i duhet më Kombëtares së Zvicrës. Telefonatën e kishte marrë nga njeriu të cilin e kishte shpëtuar pa u shkarkuar, Vladimir Petkoviç. Babai i Valon Behramit, Ragipi, në një intervistë për “Zërin” zbulon prapaskenat e asaj që ka ndodhur te helvetët, duke i akuzuar se e kanë larguar në mënyrë poshtëruese djalin i cili ka 20 vjet që i shërben me zemër e shpirt shtetit helvetik.
“Menjëherë pas Botërorit, Valoni e ka paralajmëruar largimin nga përfaqësuesja e Zvicrës. Ai dëshironte të largohej kryesisht për arsye familjare, por edhe ndihej i lodhur dhe dëshironte që vitet e fundit të karrierës si futbollist aktiv t’i përqendrohej klubit. Mirëpo, zviceranët kanë qenë kategorikisht kundër dhe nuk e kanë pranuar largimin e tij. Ndërsa tani e larguan në mënyrën më të keqe, në mënyrë jo njerëzore”, ka deklaruar Ragip Behrami.
Sikurse Valon Behrami, edhe babai i tij, Ragipi, insiston se largimi i 33-vjeçarit nga përfaqësuesja zvicerane lidhet me çështje politike.
“Federata e Zvicrës pati shkuar shumë larg duke e çuar çështjen e dyshtetësive deri në Parlamentin e Zvicrës. Ndaj, Valoni e ka pasur një zënkë me sekretarin e përgjithshëm. Valoni ka qenë i zemëruar me paragjykimet e njerëzve si sekretari gjeneral, i cili është marrë me çështje të tilla përkundër faktit se Valoni dhe futbollistët tjerë shqiptarë e kanë dhënë maksimumin për skuadrën e tyre. Vladimir Petkoviç vetëm e ka zbatuar një urdhër që ia kanë dhënë shefat e tij, presidenti dhe sekretari gjeneral i federatës, duke e telefonuar Valonin për t’i treguar se i janë mbyllur dyert e skuadrës”, shton ai.
Ragip Behrami thotë se trajneri Vladimir Petkoviç nuk donte t’i bindej me lehtësi urdhrit të presidentit dhe sekretarit gjeneral të federatës për ta larguar përmes një telefonate të vetme.
“Me Petkoviçin jemi hidhëruar për shkak se ia ktheu me të keqe një të mirë që ia pati bërë Valoni. Trajnerin boshnjak patën dashur ta largojnë nga posti i trajnerit të Zvicrës ndërsa Valoni e ka mbështetur dhe ka punuar në interes të tij, pra që të mbetet trajner i Zvicrës”, shprehet babai i futbollistit.
Lider i Zvicrës në katër Kampionate Botërore, gjë që nuk e ka bërë asnjë futbollist tjetër zviceran, e që në fakt nuk arrijnë ta bëjnë shumë futbollistë tjerë të klasit botëror.
“Pikërisht prej kohës së angazhimit të Valonit, Blerim Xhemailit, Zvicra kishte nis të përparojë. Aty kishte nis ngritja, e cila vazhdonte të rritej edhe me ardhjen e Xherdan Shaqirit, Admir Mehmedit, Granit Xhakës, Pajtim Kasamit, i cili në moshën më të mirë u pati lënë jashtë. Sot Zvicra është e gjashta në botë. Natyrisht se kemi biseduar shumë me Valonin rreth kësaj çështje. Ai nuk është mërzitur që është larguar, por ndihet i nervozuar me mënyrën e largimit sepse ai edhe vet ka dashtë të largohet, por nuk e kanë lënë. Mirëpo, Valoni më tha: ‘Babi, unë do të ndihesha keq sikur të më largonte futbolli, sikur të më largonin për mosangazhim. Por, kur po e di se çfarë kam bërë për Zvicrën, por ndihem krenar. Nuk po mërzitem që më largoi politika”, tregon Ragipi.
Ai thotë se djali i tij duhet të largohej nga Kombëtarja me respekt dhe me një ndeshje lamtumirë për shkak të kontributit që sipas tij ai ka dhënë.
“Ne nuk pendohemi për gjithë atë që kemi dhënë për 20 vjet për Zvicrën. Zvicra ka dhënë shumë për djalin tim, familjen time, Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Kështu që për dy-tre individë që e bënë krejt këtë poshtërsi nuk e përfaqësojnë një Zvicër të tërë. Tifozët janë me ne dhe po i thonë “marre” këtij veprimi të federatës zvicerane”, mbylli intervistën babai i Behramit.
Blerim Xhemaili, Gelson Fernandez, Johan Djoroun dhe Setephan Lichtsteinerin janë katër futbollistët e tjerë që janë larguar nga helvetët.
KOHA JONË SONDAZH

