Barazoi ndaj Lushnjës, trajneri i Partizanit e gjen justifikimin

Partizani është ndalur në një barazim 1-1 ndaj Lushnjës, duke i dhënë thuajse lamtumirë objektivit për të arritur në zonën europiane. Pas ndeshjes trajneri Klevis Dalipi është justifikuar me vendimet e gjyqtarit të ndeshjes, i cili sipas tij u ka mohuar një penallti dhe i ka dhënë një padrejtësisht lushnjarëve.

“E kishim përgatitur takimin gjatë gjithë javës. Më vjen shumë keq pasi në pjesën e parë humbëm shumë raste shënimi. Gjatë pjesës së parë humbëm besimin dhe kjo nuk duhej të ndodhte. Nëse i japim terren kundërshtarit, atëherë ata mund të fitojnë besimin. Nuk na akorduan një penallti të pastër që nuk kam nevojë që ta rishoh sërish. Për rastin e penalltisë së Lushnjës, dua të them se Mala nuk i ka ndërhyrë, thjesht i ngjitet dhe kërkon të mbroj topin pasi lojtari kundërshtar nuk ka mundësi goditje. Kjo penallti ishte mëse e evitueshme pasi vinte pas një penallti të pa dhenë. Lojtarët nuk morën atë që dhuruan në fushën e lojës. Këto janë ndeshje shumë delikate dhe duhet të japim më të mirën tonë. Futa në fushën e lojës 3 lojtarë që i dhanë freski ekipit tonë. Me këtë rezultat në ditën e sotme zvogëlohen shanset për Europën, por ne do të provojmë gjithçka në takimet e mbetura. Prisja më tepër nga treshja sulmuese që aktivizova nga minuta e parë. Çani është i fortë fizikisht dhe mund të shfrytëzoja aftësitë e tij përpara portës. Dita e sotme  nuk ishte e tij dhe këtë nuk po e them për ta mbrojtur. Nëse nuk shënon, atëherë gjithmonë do të pësosh.

Kam thënë më parë që na priste një ndeshje shumë i vështirë. Ky ishte një takim që kërkonte një mobilizim të madh. Kemi shpërdoruar disa raste të mira në pjesën e parë dhe lojtarët duhet të marrin më tepër nga vetja e tyre për ekipin. Ne kemi bërë një pakt me klubin që duhet të luajmë futbollin në fushë dhe nuk dua të polemizoj për penalltinë me anësorin, pavarësisht se më dhemb zemra për një situatë të tillë. Kemi akoma edhe 5 ndeshje të mbetura dhe do të tentojmë t’i rikuperojmë këto pikë të humbura”, është shprehur Dalipi pas ndeshjes.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?