Benitez drejt largimit nga Napoli, piketohet Spalleti
Rafael Benitez dhe Napoli, një histori bashkëpunimi që po i vjen fundi. Humbja e Napolit 1-0 në Romë, në ndeshjen kryesore të javës në Seria A, përballë një kundërshtari direkt në garën për një vend në UEFA Champions League, nuk ka lënë më dilema për largimin e trajnerit spanjoll nga “San Paolo”, edhe pse një gjë të tillë spanjolli e kishte lënë të kuptohej që përpara kësaj sfide. Trajneri do të takohet me presidentin Aurelio De Laurentis, sipas medieve italiane, por çështja e rinovimit do të kalojë në plan të dytë pasi klubi i kaltër duket se kërkon të nisë një erë të re me një emër të ri. Sipas mediave italiane, Benitez ua ka komunikuar lojtarëve vendimin dhe në vendin e tij pritet të ulet Luciano Spalletti. Sakaq, ish-trajneri i Liverpulit Benitez pritet të rikthehet në Angli, ku kanë shfaqur interes disa ekipe duke përfshirë edhe Manchester City.
Pas humbjes së fundit 1-0 me Romën, Napoli ka zbritur në vend të 6-të (47 pikë), plot 8 pikë larg nga Lacio (55 pikë), që ndodhet e treta, dhe 9 pikë nga Roma e vendit të dytë, (42 pikë). Dy ekipet romane janë brenda zonës Champions, ndërsa për titullin kampion Juve me fitoren e fundit 2-0 ndaj Empolit, ndodhet në kuotën e 70 pikëve, 14 më tepër se Roma. Fiorentina fitoi 2-0 ndaj Sampdorias dhe u ngjit mbi të, me një pikë më tepër (49) në vend të katërt, duke lënë pas me dy pikë Napolin. Kur duhen edhe 9 ndeshje nga fundi, në Seria A e hapur dhe e ashpër mbetet gara për dy vende në Champions.
KOHA JONË SONDAZH

