Colella: Kemi lojtarë për të zëvendësuar Skukën dhe Bitrin
Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella beson se skuadra e tij do të përballojë denjësisht pjesën e mbetur të kampionatit, edhe pse i janë larguar lojtarë të rëndësishëm gjatë merkatos së janarit. Duke folur para mediave për ndeshjen ndaj Teutës, ai theksoi se ekipi kishte bërë mirë dhe do të gjente forcat të zëvendësonte lojtarë si Skuka e Bitri.
“Nuk e cilësoj Teutën një skuadër të vendeve të fundit, por një ekip që ka bërë më shumë pikë se të tjerët në ndeshjet e fundit. Mendoj se është një ndeshje shumë e vështirë.
Formacioni? Ndonjë gjë do të ndryshojë, sepse është larguar ndonjë, por nuk do të ketë ndryshime të mëdha.
Statistikat janë gjërat që nuk vlejnë. Teuta me të cilën jemi ndeshur para 10 ndeshjesh, nuk është Teuta e tashme, është një skuadër krejtësisht ndryshe.
Da Silva? Ai është pjesë e skuadrës dhe të grumbulluarve. Do të mungojnë Skuka dhe Bitri. Po, mendoj se nuk janë ata (qesh). Janë dy lojtarë të mirë që u larguan, por unë jam i bindur se në grupin tonë kemi cilësinë për t’i zëvendësuar.
Çdo gjë që bën klubi, e bën në dakordësi me të gjithë palët. Nëse klubi vendos që të shesë një lojtar, mendoj se trajneri nuk ka forcën që të thotë të mos e shesin, se strategjia e klubit është mbi strategjinë e trajnerit. Pastaj trajneri është ai që vendos për aspektin teknik për zëvendësuesit, por edhe për ata që mbërrijnë është thelbësore vizioni i klubit.
Absolutisht që kemi mbrojtës, nuk ka ndonjë diferencë aq të madhe mes atyre që kanë luajtur më shumë dhe atyre që kanë luajtur më pak. Kemi mbrojtës të mirë si Menish dhe Saliu e na i kanë kërkuar ekipe të tjera të Superiores. Ata do të kenë më shumë shanse se sa kishin më përpara.
Frikë nga largimi i lojtarëve me eksperiencë? E kam thënë shpesh se fjala frikë nuk bën pjesë në botën e futbollit. Më vijnë në mendje ata që shkojnë të flejnë në Ukrainë natën duke dëgjuar bombat, ajo është frika. Por përtej kësaj, u vendos në bashkëpunim me klubin, që të besohej te lojtarë që i përkasin të ardhmes dhe të mos marrim lojtarë pa ekip e që kanë një moshë të caktuar”, tha Colella.
KOHA JONË SONDAZH

