Cungu: Humbja me Apoloninë ishte një “shuplakë” e mirë
Armando Cungu e ka konsideruar humbjen me Apoloninë në Kupë si një leksion të mirë për futbollistët e tij. Trajneri shkodran i Kukësit foli edhe për merkaton.
“Ishte një shuplakë e mirë për ne për të na kthyer me këmbë në tokë. Duhet të kuptohet që futbolli luhet me ushtarë dhe si të tillë duhet të sillemi në fushën e lojës. E bëri Apolonia diçka të tillë. Kështu që nëse më jepet mundësia për të zgjedhur një humbje, ka qenë momenti ideal. Kemi mundësi për të korrigjuar, kupa ta jep këtë mundësi.
Partizani favorit? Nuk kam ndonjë koment, janë mendimet e tyre. Do të isha i kënaqur sikur të mos na llogarisnin, të shohim punën tonë. Nuk më pëlqejnë fjalët e tepërta, nuk më pëlqejnë komentet, as fjalët bombastike “ne do dalim kampion. Më pëlqen të flasim në fushë, jo në media.
Merkato? Nuk më pëlqejnë shumë ndërhyrjet, pasi krijojnë oscilacione. Sidomos në janar, kur ekipi ka marrë fytyrën e vet. Ata që vijnë duan kohën për t’u përshtatur me grupin, apo grupi t’u përshtatet tipareve të këtyre sportistëve. Klubi ka goditur me dy lojtarë cilësorë, të cilët kanë bërë mirë te Luftëtari. Megjithatë këtu është ekip tjetër, një atmosferë tjetër dhe një objektiv tjetër. Gjithashtu edhe presion tjetër, flasim për presion pozitiv. Uroj që të bëhen pjesë e këtyre objektivave”, deklaroi Cungu.
KOHA JONË SONDAZH

