Cungu: Kemi shanse reale për kualifikim ndaj Torpedos, do ndryshojmë sulmin
Eliminimi në Champions League nuk e ka zhgënjyer aspak trajnerin e Kukësit, Armando Cungu, i cili tashmë është përqendruar te dy sfidat e radhës ndaj kampionëve të Azerbajxhanit, Torpedo Kutaisi. Në prag të ndeshjes së parë, strategu që mori drejtimin e ekipit para pak javëve, shprehet optimist.
“Kishim përballë një ndër ekipet më të fuqishëm dhe mund të them se ka qenë kundërshtari më i fortë që u ka rënë përballë skuadrave shqiptare në vitet e fundit. Në këtë aspekt mendoj se nuk ishte zhgënjim, por një dinjitet, pasi djemtë bënë shumë mirë në ndeshjen e parë. Me pak kujdes, mund të bënim më mirë në ndeshjen e dytë, por i tillë është futbolli.
Që në ndeshjen me Vallettën kam parë që skuadra ka qenë e lidhur dhe ka vepruar si një trup i vetëm. Megjithatë kemi pretenduar që të kemi më tepër iniciativë në sulm dhe të marrim më shumë përgjegjësi, pasi për të fituar, duhet të shkosh te porta kundërshtare, për të shënuar. Shpresoj që në ndeshjen e radhës, të ndryshojmë edhe në aspektin sulmues”, deklaroi trajneri i Kukësit për Supersport.
Nënvlerësimi është një fjalë që nuk duhet përdorur. Trajneri i bluve i vlerëson maksimalisht kampionët e Gjeorgjisë, të cilët deri më tani në Europa League kanë shënuar 7 gola, duke mos pësuar asnjë, gjithsesi kualifikimi është një mision i realizueshëm.
“Nuk është e lehtë të përballesh me askënd, ashtu si edhe me kundërshtarin e radhës. Bëhet fjalë për një skuadër që nuk ka pësuar asnjë gol, por natyrisht që nuk është në nivelin e Qarabagut, ndaj në këtë pikë, mendoj se Kukësi ka shanse reale për t’u kualifikuar”, deklaroi trajneri shkodran.
Nëse Kukësi kalon në “Play-Off”, atëherë do të përballet me fituesen e çiftit Ludogorets-Zrinjski Mostar, por për momentin tekniku 45-vjeçar është i përqendruar vetëm tek Torpedo.
“Nuk preferoj të kapërcej male, pa kaluar më parë kodrën që kemi përballë, Duhet të bëjmë përpjekjet e duhura për të kaluar Torpedon dhe pastaj të mendojmë për kundërshtarin e radhës”, theksoi trajneri i Kukësit.
Skuadra verilindore do të luajë të enjten sfidën e parë në orën 19:00 në stadiumin “Mikheil Meskhi”.
KOHA JONË SONDAZH

