Cungu: Sfidën e vendosën episodet, s’jemi dorëzuar për titullin
Skënderbeu rikthehet te fitorja në kampionat, pasi ia doli të mposhtë në shtëpi Kukësin 1-0, falë një goli të shënuar që në minutat e para të sfidës. Trajneri i verilindorëve, Armando Cungu është shprehur se ndeshja u vendos vetëm nga episodet.
“Nuk di si ta shpjegoj, pasi ka disa momente të çuditshme, që as unë nuk i kuptoj. Gabuam 15 minutat e fundit në Durrës, por edhe 10 minutat e para këtu. Në përgjithësi bëmë një ndeshje shumë të mirë dhe krijuam disa mundësi të mira shënimi, ndërsa kundërshtari nuk na rrezikoi, përveç golit. Më vjen keq që dolëm pa pikë dhe për më tepër, se gabuam gjithçka vetë, me atë nisje për t’u harruar.
Mungesat? Ndikojnë patjetër, pasi me dëmtimin e Cuculit dhe Rrumbullakut, ne kemi përshtatur lojtarë në pozicionet përkatëse. Loja fillon që nga portieri dhe nëse të mungojnë 2-3 elementë të rëndësishëm, ndjehet në mënyrën e organizimit. Megjithatë këto ndeshje vendosen edhe nga episodet, pasi kundërshtari përfitoi maksimalisht nga një mundësi, ndërsa ne shpërdoruam 3-4 raste të pastra. Është e vërtetë që duhet të tregohemi më cinikë, por për të pasur këtë cilësi, duhen lojtarë që kanë grintë dhe janë luftarakë. Mungesa e Cuculit dhe Rrumbullakut, na kanë penalizuar pak në këtë aspekt.
Nuk e di sa do të penalizojë kjo humbje sot, që kurrsesi nuk na duhej. Megjithatë unë mendoj që ne duhet të tentojmë deri në fund të fitojmë titullin, të paktën deri sa matematika të na e lejojë këtë. Pjesa tjetër nuk është më në dorën tonë”, deklaroi Cungu.
KOHA JONË SONDAZH

