Daja konfirmon rotacionin ndaj Laçit: E mbyllim me dy grupe lojtarësh sezonin! (VIDEO)
Skënderbeu ka siguruar titullin kampion për këtë sezon 3 javë para fundit të kampionatit. Sfida e radhës për korçarët është ajo ndaj Teutës, teksa trajneri Ilir Daja e ka pranuar se do të ketë rrotacion.
“Kemi finalizuar një rrugëtim shumë të gjatë, të merituar dhe me diferencë ndaj ekipeve të tjera. Jemi përballur me situata aspak të favorshme gjatë këtij rrugëtimi, këtu flas për vendimet e UEFA-s ndaj nesh. Gjatë kësaj kohe kemi bërë dy kampionate dhe duke treguar formë të mirë në të dyja këto turnet. Gjithashtu kemi shkruar edhe historinë, pasi jemi ekipi i vetëm shqiptar që kemi kaluar katër ture. Të gjitha këto arritje ne na bëjnë krenar, ndërsa çelësi i suksesit mund të them se është bashkëpunimi.
Kam dëshirë që lojtarët e sfilitur dhe që i kanë konsumuar energjitë e tyre gjatë kampionatit, të kenë mundësinë e rikuperimit dhe ky do të jetë një shans për të rinjtë. Do ta respektojmë kampionatin deri në fund, por ne do respektojmë edhe politikat tona, pasi kemi shumë futbollistë të rinj që kërkojnë minutat e tyre.
Faktikisht që në ndeshjen ndaj Kukësit, atje ku ne kishim parashikuar që të mbyllnim kampionatin, kishim planifikuar që në stërvitje t’i ndanim lojtarët në dy grupe. Futbollistët që do të ishin gati për të luajtur në ndeshje do të stërvitesh veçmas, ndërsa grupi tjetër që ka qenë titullar gjatë gjithë kësaj kohe do të stërvitej i ndarë, me një program të veçantë për të shkarkuar lodhjen e tyre.
Kjo do të ndodhi në pjesën e mbetur të kampionatit, ku një grup do të stërvitet për takimin ndaj Laçit, në finalen e Kupës, ndërsa një grup tjetër do të përballoj takimet e mbetura të kampionatit. Do të na pëlqente që golashënuesi i këtij kampionati të ishte Soue, por nuk do e ekzagjerojmë dhe të bëjmë të pamundurën që ky futbollist të dal te goli. Ne do i krijojmë kushtet që Soue të shënojë, por këtë duhet ta arrij me cilësitë e tij. Sa i përket çështjes së rinovimit, mund të them se kjo është thuajse e mbyllur, por nuk e shoh si një detyrim për ta mbyllur me patjetër në këtë moment. Në fund, dua të falënderojë të gjithë tifozët korçarë, që i kanë qëndruar pranë ekipit të tyre”, është shprehur Daja.
KOHA JONË SONDAZH

