Dy pensionistë te Bayern? Ribery dhe Robben nuk janë dakord
Franck Ribery dhe Arjen Robben mund të jenë duke nisur sezonin e tyre të fundit me fanellën e Bayern Munchen, por dy veteranët nuk kanë ndërmend të largohen nga Bavaria me duar bosh. Francezi do të nisë sezonin e 12-të në Bundesliga ndërsa holandezi të 10-tin. Të dy bashkë kanë luajtur 237 ndeshje në kampionatin gjermane duke shënuar respektivisht 80 dhe 95 gola.
Por me Ribery 35 vjeç dhe Robben 34, është normale që edhe tifozët më të flaktë të tyre të mendojnë se ka ardhur koha që ata të ulin ritmin. Madje Niko Kovac la të kuptohej se francezi mund të shndërrohej më tepër në një organizator pas sulmuesit kryesor këtë sezon për t’i kursyer vrapimet në krahë.
Mgjithatë, Ribery nuk duket shumë dakord. “Jemi të dy profesionistë dhe gjithmonë të etur për sukses”, tha ai nga SHBA ku Bayern po zhvillon fazën përgatitore. Tetë herë fitues i Bundesligas luajti vetëm 20 ndeshje sezonin e kaluar për shkak të një dëmtimi, por sërish arriti të shënonte 5 gola. Po aq realizoi edhe Robben, në 21 takime.
Me moshën e tyre, dëmtimet janë problemi kryesor që Bayern duhet të përballet, por edhe vetë holandezi fluturues e kupton më së miri këtë. “Për ne gjëja më e rëndësishme është që të qendrojmë larg dëmtimeve. Pa to, ne jemi të rinj”, tha ai. “Është shumë bukur të luash me Franck dhe ne merremi vesh shumë mirë. Jemi stërvitur mjaft mirë dhe jemi në formë”.
Pesë vjet më parë ata ishin lojtarët që “gatuan” golin e fitores në finalen e Champions League kundër Borussia Dortmund, dhe të dy pranojnë se përsëritja e atij sezoni me tripletë trofeshë do të ishte mënyra më e bukur për të mbyllur karrierën.
KOHA JONË SONDAZH

