Enrique: Barça, shumë lart! Guardiola shpjegon “katastrofën”

Barcelona arriti një fitore të lehtë 3-1, me dy gola të Suarez dhe një të Neymar, në “Parc de Prince”, ndaj një kundërshtari që e kishte mundur në fazën e grupeve, duke zhvilluar një nga sfidat më të mira në këtë sezon të UEFA Champions League. Sipas trajnerit të katalanasve, Luis Enrique, Barça e dominoi lojën në çdo aspekt. – “Ne e kontrolluam lojën dhe krijuam shumë raste për të marrë rezultat të mirë. Luajtëm mirë në çdo sektor të fushës dhe besoj se performanca jonë ishte në nivel të lartë”. Për sa i përket ndeshjes së kthimit, Enrique kujtoi se PSG do të jetë më i kompletuar, ndaj skuadra e tij nuk duhet të mendojë se kualifikimi është siguruar. – “Parisit do t’i kthehen disa lojtarë të formacionit bazë, ndaj sfida e kthimit do të jetë e vështirë. Cështja e kualifikimit nuk është vendosur ende. Nuk do të luajmë në “Kamp Nou” me mendimin se jemi kualifikuar, objektivi ynë do të jetë fitorja edhe në fushën tonë.”

 Nga ana tjetër trajneri i Paris Saint Germmain Laurent Blanc e pranoi superioritetin e Barcelonës, që sipas tij, ka në përbërje, sidomos në fazën sulmuese lojtarë të nivelit më të lartë. Pavarësisht disa gabimeve, sidomos në mbrojtje, Blanc tha se PSG dha gjithçka në fushë. Trajneri francez, 49-vjeç siguroi se në “Camp Nou” PSG do të shfaqet me një tjetër nivel pasi organika do të jetë e kompletuar me lojtarët më të mirë. Rikthehet edhe suedezi Zlatan Ibrahimoviç, që mungoi për arsye s’kualifikimi në këtë takim.

Pep Guardiola: Ishim ekipi më i mirë në fushë, pas Portos

Pep Guardiola e ka të vështirë të gjejë argumente për të justifikuar humbjen 3-1 me Porton, teksa pranon nën zë se skuadra e tij ishte më e mira në fushë, por pas portugezëve. Për bavarezët, takimi i parë çerek-final ishte një makth i vërtetë, ndonëse ishin përgatitur moralisht për mungesat e shumta si Ribery, Robben, Alaba e Schweinsteiger. – “Kaluam shumë shpejt në disavantazh 2-0 dhe me një rezultat të tillë kurrë nuk është e lehtë. Pasi shënuam, morëm frenat e takimit në duar, megjithatë duhet pranuar se Porto ishte më lart. Rezultati 3-1 është një rezultat i vështirë për t’u përmbysur, por ne do të bëjmë gjithçka, falë edhe avantazhit që do të luajmë në fushën tonë”.

Ndërkohë te Porto askush nuk e kishte imagjinuar një fitore të tillë kundër kampionëve të Gjermanisë. Trajneri Julen Lopetegui vlerësoi në maksimum performancën e të tijve, të cilët përpiqet t’i mbajë me këmbë në tokë duke u kujtuar se mbeten edhe 90 minuta për ta bërë realitet kualifikimin në gjysmëfinale. Tekniku spanjoll u shpreh se Bayerni është një skuadër e madhe, ndër më të fortat në botë dhe takimi tjetër në Mynih do të jetë krejt ndryshe nga ai i shtëpisë. I këtij mendimi është edhe heroi i dy golave Ricardo Quaresma. Për portugezin, Porto kaloi një mbrëmje për t’u mbajtur mend, por ka ende punë për të hedhur hapin drejt raundit tjetër në Champions League.

SHKARKO APP