Faleminderit Laçi! Flasin trajnerët, Shpëtim Duro: Gara mbetet e hapur
Pas ndeshjeve të javës së 29-të në Kategorinë Superiore, ashtu siç pritej, Skënderbeu e pati të vështirë në Laç, ku humbi 1-0 dhe lëshoi kryesimin. Përfituan direkt Kukësi, që u ngjit në krye pas fitores 4-0 me Elbasanin, si dhe Partizani e Tirana që u afruan me kryesuesit. Apolonia e Elbasani humbën ndoshta edhe ndeshjen e shpresës, ndërsa Teuta në Shkodër përfitoi nga ky fakt për të mos e ndjerë rrezikun e rënies.
Trajneri i Tiranës:
Gugash Magani: Tani, të mendojmë për Laçin
Trajneri i Tiranës Gugash Magani theksoi pas fitores me Flamurtarin se “arritëm fitoren e dytë radhazi që na jep më shumë besim për pjesën e mbetur të kampionatit dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ndaj Flamurtarit kishin avantazhet dhe dizavantazhet tona, sepse edhe me një skuadër të re kundërshtari mund të na kishte ndëshkuar.” Në mesjavë Tirana do të luajë ndaj Laçit gjysmëfinalet e parë të Kupës së Shqipërisë , dhe Magani e di mirë se duhet të punojë shumë sidomos në aspektin psikologjik për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales. –“Laçi në këtë sezon ka rezultuar macja e zezë për Tiranën. Më parë do të festoj me djemtë për këtë sukses që arritëm me Flamurtarin, më pas do të mendojmë për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë,” – theksoi ai.
Trajneri i Partizanit
Shpëtim Duro: Laçit duhet t’i thonë faleminderit shumë ekipe
Trajneri i Partizanit nuk priste një ndeshje të lehtë sot me Apoloninë. – "E parashikoja të vështirë këtë ndeshje dhe kjo u vërtetua në fushën e lojës, pavarësisht se ne ishin superiore. Për mendimin tim morëm një fitore e merituar. Mazrekaj dhe Vila janë stabël ndaj kishim vështirësi. Unë s'doja t'i grumbulloja, por ata këmbëngulën të ishin në skuadër,” – theksoi ai. Stefan Raçiç shënoi golin e 11-të për Partizanin në Superiore, çka tregon sipas Duros, që sulmuesi serb është pikë referimi për të kuqtë. – “Ekipet duhet të varen nga sulmuesit është pikë referimi, ka shënuar 11 gola mban peshën kryesore në sulm. Sa i përket Laçit, duhet t’i thonë faleminderit shumë skuadra.”
Trajneri i Apolonisë
Artan Mërgjyshi: Diferencën e bëri stoli i Partizanit
Trajneri i Apolonisë Artan Mërgjyshi, diferencën në këtë sfidë theksoi se e bëri stoli i Partizanit. – “E kishim përgatitur me kujdes, u munduan të mos i lejonim hapësira kundërshtarët. Në pjesën e dytë ndryshoi pak ritmi, Partizani tentoi më shumë dhe u bë lojë më e hapur. Diferencën e bëri stoli i Partizanit. Barazimi do të ishte rezultati më i drejtë,” – u shpreh Mërgjyshi.
Në fund Mergjyshi pati ankesa për gjykimin, që sipas tij po e dëmton shumë Apoloninë
"Do të shikojmë punën tonë. Nuk jemi dorëzuar, kemi edhe 7 ndeshje, 4 ndeshje në fushën e tonë".
Trajneri i Laçit
Armando Cungu: Laçi i bën nder vetes dhe askujt tjetër
Laçi nën drejtimin e Armando Cungut, ndali edhe Skënderbeun në fushën e tij dhe tashmë e sheh veten shumë pranë objektivit, që mbetet një vend në Kupat e Europës. Por kjo fitore e Laçit hap garën për titull mes katër ekipeve kryesuese, që ndodhet në një distancë prej katër pikë larg njëra-tjetrës. – “Në përgjithësi nuk kemi qenë në kondicionin e duhur fizik, por kemi sakrifikuar shumë. E kishim përgatitur mirë ndeshjen, sepse Laçi do ta provojë ta arrijë pjesëmarrjen në Europë edhe nëpërmjet kampionatit. Ishim më konkretë dhe më afër fitores dhe ia arritëm,” – theksoi Armando Cungu. Gjyqtari Enea Jorgji, nxori dy lojtarë të Laçit me karton të kuq gjatë ndeshjes, por trajneri shkodran nuk ka shprehur asnjë pakënaqësi ndaj gjykimit. “Nuk do të bëj hipokritin. Gjyqtari korrekt. Laçi s’sheh për t’i bërë nder askujt, por vetes. Kemi fituar aq sa herë kemi pasur mundësi duke treguar forcë karakteri.” Laçi, gjysmëfinalist i Kupës së Shqipërisë akuzohet se po fiton me rivalët e Partizanit, për llogari të të kuqve.
Trajneri i Skënderbeut
Mirel Josa: Pikët që lihen nuk kthehen më, komplikohet titulli
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, e pranon se Skënderbeu pavarësisht volumit të madh dhe presionit të ushtruar në gjysmëfushën kundërshtare nuk ia doli të shkonte te goli. – “E filluam mirë ndeshjen. Në pjesën e parë ishim këmbëngulës, pavarësisht superioritetit numerik. Laçi do ta ruante me të gjitha mënyrat barazimin. Luajtëm në krah për ta pasur lojën nën kontroll. Në pjesën e dytë shkuam nga qendra, por ishim të lexueshëm. Ishim konfuzë me lojën nga krahët dhe në konkludim. Mënyrën sesi shkuam te porta kundërshtare nuk ishte e drejtë. Duhet të ishim më të qartë. Goli i Laçit ishte meritë e tyre.” – theksoi trajneri Josa, i cili e pranon se me këtë humbje objektivi titull bëhet më i vështirë. –“Pikët që lihen rrugës nuk kthehen më. Ndaj Laçit edhe një pikë do të na bënte punë. Komplikohet çështja e titullit.”
Kategoria Superiore
Java e 29-të/Dje
Laçi-Skënderbeu 1-0
Elbasani-Kukësi 0-4
Vllaznia-Teuta 1-0
Flamurtari-Tirana 1-2
Partizani-Apolonia 1-0
Klasifikimi
Kukësi 61
Skënderbeu 60
Partizani 59
Tirana 57
Laçi 53
Flamurtari 34
Vllaznia 33
Teuta 23
Apolonia 16
Elbasani 13
KOHA JONË SONDAZH

