Gega imiton Allegrin, udhëheq kampionatin me një mbrojtje “të hekurt”
Për të fituar një kampionat, duhet që të kesh mbrojtjen më të mirë të kampionatit dhe jo sulmin më të mirë. Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri në vitet e fundit ka justifikuar triumfet e bardhezinjve pikërisht me këtë filozofi duke u mbështetur te reparti difensiv që ofron shumë garanci.
Në këtë filozofi duket se mbështet edhe trajneri i Partizanit, Skënder Gega, i cili ka ndërtuar një skuadër fituese pikërisht duke u mbështetur te reparti i prapavijës. Këtë sezon “Të Kuqtë” kanë mbrojtjen më të mirë të kampionatit me vetëm 9 gola të pësuar në 20 javë, duke pasur një ecuri fantastike. Edhe pse niveli i kampionatit tonë sigurisht që është shumë më i ulët në raport me ligat kryesore europiane, një ecuri e tillë është për t’u vlerësuar. 0.45 gola të pësuar për ndeshje, do ta kishin zili çdo skuadër. Nëse i hedhim një sy ligave europiane në kampionatet kryesore, në Seria A Juventusi ka pësuar 15 gola në 22 javë, në Spanjë Atletico ka pësuar një më pak, ndërkohë që në Premier League, Liverpooli është ekipi me mbrojtjen më të mirë me 14 gola të pësuar.
Interesant janë dhe të dhënat nga grafiku i golave të pësuar në këtë sezon. Pjesa më e madhe e golave janë pësuar në 10 minutat e para nga minuta e 31-40 dhe në 10 minutat e fundit. Portieri Hoxha nuk ka pësuar asnjë gol gjatë këtij sezoni nga minuta e 11-të deri në të 30-n, si dhe nga minut e 71-të deri në të 80-të. Shifra që flasin për soliditetin e skuadrës së Gegës dhe faktin se ruajnë shumë mirë përqendrimin në pjesën më të madhe të ndeshjeve.

Elementët kyç- Gega ka formuar një ide fikse për formacionin e tij në repartin difensiv, teksa në të ka shumë pak ndryshime nga një ndeshje në tjetrën. Labinot Ibrahimi është titullar fiks gjatë këtij sezoni, duke u aktivizuar në 18 nga 21 ndeshje në total. Në qendër Belica është titullar fiks në qendër, duke humbur vetëm dy ndeshje këtë sezon, ndërkohë që ai kombinohet shpesh herë në qendër me Atandën ose si në rastin e sfidës së fundit me Rexhepin. Në krahun e majtë, Trashi është një garanci, pasi është përshtatur mjaft mirë në këtë rol, edhe pse në sezonet e kaluara ka luajtur si mesfushor. /Rozalb Lika-Koha Jone/

KOHA JONË SONDAZH

